Padinë në GJND ndaj Serbisë për gjenocid gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99, që Qeveria “Kurti 2” e ka paralajmëruar qysh nga muaji shkurt i këtij viti, po e sheh si betejë të humbur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Ai e ka quajtur absurde idenë që kjo lloj padie të ngritet nga Shqipëria. Sipas tij, një veprim i tillë do t’ia prishte atyre proceset për integrime.

“A thanë që do ta padisim Serbinë për krime lufte, për gjenocid? A ka absurditet më të madh se me thënë Shqipëria duhet ta padisë për gjenocid? Ti po don me fut Shqipërinë në këtë valle, po mendon që hyn Shqipëria me prish procesin e saj për integrime, me u fut me marrë përsipër këtë çështje?”, tha ai në ATV.

Haliti u tregua i prerë në përgjigje kur u pyet rreth asaj se sa janë gjasat që Kosova ta fitojë këtë betejë me Serbinë.

“Po s’mujm me fitu, s’mund ta fitojmë sepse ne s’jemi anëtarë të OKB-së, së pari nuk kemi të drejtë me padit. Ne po mendojmë me bisedu me Serbinë, edhe me padit për gjenocid, është problem”.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai i cili në programin e vet qeverisës pati deklaruar se “çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”.