Autoritetet kineze do të heqin mbylljen në qytetin Wuhan, ku e ka origjinën coronavirusi, më 8 prill, njoftuan media të martën.

Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, autoritetet lokale të shëndetit në Provincën Hubei, që përfshin qytetin Wuhan, kanë deklaruar një seri rregullash të reja në lidhje me lehtësimin e kufizimeve të lëvizjes në zonë, përcjell Telegrafi.

Autoritetet kishin vënë “nën kontroll” qytetin prej 11 milionë banorësh më 23 janar në mënyrë që të frenojnë përhapjen e COVID-19, që vrau gati 3.300 njerëz dhe infektoi mbi 81,000 të tjerë në Kinë.

Një vendim i tillë vjen pasi qyteti nuk raportoi infeksione të reja vendase në pesë ditët e fundit. Sidoqoftë, një rast i ri pozitiv u raportua në qytet të martën.

Pas shfaqjes në Wuhan, Kinë dhjetorin e kaluar, coronavirusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në të paktën 168 vende dhe rajone, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.

Ekzistojnë 381.499 raste të konfirmuara në të gjithë botën dhe numri i të vdekurve arrin 16.500, ndërsa mbi 101,000 njerëz janë shëruar