Anëtarja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola von Cramon – Taubadel, tha se është për keqardhje që Franca nuk i premtoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti mbështetjen për liberalizimin e vizave.

Sipas saj, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, por disa shtete kanë hezitim.

“Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime me pak të polarizuara dhe një mjedis politik me të përshtatshëm në Francë. Kosova i ka përmbushur kushtet teknike dhe ne në Parlamentin Evropian do të dëshironim të marrim dritën e gjelbër për vizat. Është çështje e Këshillit të Evropës dhe disa shtete kanë hezitim. E pamë në Francë, Kurti nuk mori premtim, me të vërtetë është për keqardhje”, tha von Cramon.

“Kosova ka pasur një katalog të qartë të kritereve për vizat, ai katalog është plotësuar. Pse të mos i jepet kjo Kosovës?. Tema tjetër shumë e madhe është normalizimi i raporteve me Serbinë, këto janë çështje të ndryshme. Mendoj që BE-ja nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, Kosova e ka bërë punën e saj tani është çështje e BE-së, për këtë arsye, BE-ja po e humb kredibilitetin. Për këtë arsye e kam kritikuar Macronin për qasjen e tij”, tha ajo më tej në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë.