Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Evropës, ka thënë se ka ardhur koha që kjo e fundit të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë.

Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook tha se sot Evropa feston paqen dhe unitetin në të gjithë kontinentin e vjetër.

“Për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë. Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm ti ruajmë, por edhe ti forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund”, shkroi ajo.

Postimi i saj i plotë:

Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë

Sot Evropa feston paqen dhe unitetin në të gjithë kontinentin e vjetër. Për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë. Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm ti ruajmë, por edhe ti forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund.

Ne jemi një vend paqedashës dhe qartë me orientim pro-evropian. Ndaj aspirojmë dhe po punojmë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë do ta bëjmë me dinjitet dhe në interesin e qytetarëve, në rend të parë.

Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën.

Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, ndërkaq, duhet të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm.

Ne të gjithë duam një Evropë të suksesshme, të përparuar dhe në të cilën sundon paqja! Ne kemi mbrojtur vlerat civilizuese evropiane edhe në mesjetë, duke përcaktuar një herë e përgjithmonë orientimin tonë strategjik. Ne nuk luajmë me dy karta, ndërmjet lindjes e perëndimit. Integrimi në strukturat euro-atlantike është përcaktimi ynë i përhershëm.

Prandaj, le të punojmë me shtetet e tjera evropiane, sepse si një ndër popujt më të vjetër të kontinetit, BE-ja është shtëpi e jona!