Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se së shpejti do të mbërrijë në kosovë kontigjenti i parë i vaksinave antiCOVID të kompanisë Pfizer, sasi prej 1.2 milionë dozash që i ka kontraktuar Qeveria e Kosovës.

Vitia po ashtu ka thënë se ministria është në momentet përfundimtare të parapërgatitjeve për nisjen e vaksinimit masiv.

“Kështu shpresoj dhe besoj që do ta kemi një vjeshtë e dimër më të sigurtë dhe që më të dashurit tanë do të jenë më të mbrojtur”, ka shkruar Vitia.

Postimi i plotë:

Të dashura qytetare,

Të dashur qytetarë,

Jemi në momentet përfundimtare të parapërgatitjeve për nisjen e vaksinimit masiv në të gjithë vendin tonë.

Pas shumë sakrificave, humbjeve e vështirësive të këtij viti që lamë pas, kemi mbërritur tanimë në një stacion të ri nga ku mund të nisim rrugëtimin tonë drejt imunizimit.

I kemi siguruar vaksinat, i kemi bërë përgatitjet. Së shpejti mbërrin dhe kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës.

Kështu shpresoj dhe besoj që do ta kemi një vjeshtë e dimër më të sigurtë dhe që më të dashurit tanë do të jenë më të mbrojtur.

Ju lutem si çdo herë: ndiqni dhe informohuni në njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për mënyrën, kohën dhe kriteret e vaksinimit.

Ju falenderoj të gjithëve për besimin dhe solidaritetin e treguar prej shkurtit të vitit 2020.

Falenderime nga zemra të gjithëve që ndihmuan në sigurimin e vaksinave!

Ecim tutje, për më mirë dhe më sigurtë!