Disa pamje të publikuara nga mediat e huaja tregojnë një pacient të prekur nga koronavirusi, të mbyllur brenda një “tubi plastik” për të ndaluar përhapjen e sëmundjes vrasëse.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pacienti është parë duke u futur në një spital në Huizhou, në provincën Guangdong në jug të Kinës, i veshur me kostum mjekësor.

Këto pamje vijnë në kohën kur Kina konfirmoi 571 raste totale të shpërthimit të koronvirusit të ri.

Që nga e mërkura në mbrëmje, 17 vdekje janë raportuar, të gjitha në provincën Hubei.

Përveç të tjerëve, thuhet se rreth 20 punëtorë mjekësorë janë infektuar gjithashtu.

Lloji i koronavirusit, i panjohur më parë besohet të ketë dalë në fund të vitit të kaluar nga jeta e egër e tregtuar në mënyrë të paligjshme në një treg kafshësh në qytetin qendror kinez, Wuhan.

Rastet janë zbuluar aq larg, duke arritur edhe në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar frikën se virusi tashmë po përhapet në të gjithë botën.

Së paku deri më tani është raportuar për tetë raste të njohura në të gjithë botën – Tajlanda ka konfirmuar katër raste, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Tajvani, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë raportuar secila nga një.

Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit, qeveria lokale e Wuhan tha që do të mbyllte të gjitha rrjetet e transportit urban dhe do të pezullojë fluturimet dalëse nga qyteti që nga ora 10 e mëngjesit të enjten, raportojnë media shtetërore.

Qeveria po u kërkon qytetarëve që të mos largohen nga qyteti, përveçse në rrethana të jashtëzakonshme.