Shuma prej 2 euro e cila sipas LVV – Podujevë iu është kërkuar nxënësve të shkollës fillore “Enver Maloku” në Podujevë për vendosjen e perdeve gjatë datës 20-24 mars të këtij viti, kjo Lëvizje po e quan të jashtëligjshëm, njofton Llapi.info.

Kryetari i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Bajram Ajeti për Llapi.info ka thënë se të kërkohet para nga nxënësit për qëllime të tilla paraqet shkelje ligjore dhe procedurale.

“Në shkollën “Enver Maloku” mësimdhënësit kanë kërkuar para nga nxënësit në shumën prej 2 euro në emër të blerjes së perdeve. Të kërkohet para prej nxëësve për një qëllim të tillë paraqet shkelje ligjore dhe procedurale.”, tha ai.

Për Ajetin kjo paraqet shkelje të ligjit mbi financat dhe keqpërdorim i detyrës nga përgjegjësit e shkollës pasi që sipas tij nuk është lëshuar dëshmi me shkrim për pranimin e të hollave.

“Të marrësh para e të mos ketë një akt administrativ apo vendim me bazë ligjore dhe të arsyetuar si dhe të mos lëshohen dëshmi me shkrim për pranimin e parave pa marrë parasysh vlerën paraqet shkeljen e ligjit mbi financat etj. Mendoj se veprimi i tillë paraqet keqpërdorim detyre të përgjegjësve të shkollës që nuk është e vetmja por edhe përgjegjësve të arsimit në nivel komunal”, ka shtuar Ajeti.

Shkelje të njëjta Ajeti ka thënë se bëhen edhe në rastin e shkuarjes në ekskursione të cilat organizohen nga profesorët gjatë të cilave pagesat nuk bëhen përmes bankës bazë formës ligjore.

Vlen të ceket se nxënësit e shkollës “Enver Maloku” nuk i kanë bërë akoma një vit nga hyrja në objektin “e ri” shkollor pasi që po të njëjtin e kishin shfrytëzuar gjimnazistët e Podujeves./Llapi.info/