Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i cili përdori sot fjalor të ashpër ndaj dy asamblistëve të kësaj partie.

VV-ja thotë Lushtaku ka “tentuar të mohojë çdo mendim kritik përbrenda komunës në stilin e një gangsteri”.

Në reagim thuhet se asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Vjollca Ramadani në mbledhjen e Komitetit për Mbrojtje dhe Shpëtim i ka drejtuar disa pyetje përfaqësuesit të policisë në lidhje me aksidentin e një veture zyrtare, mirëpo zyrtari i policisë nuk është lejuar të shpjegohet nga nënkryetari i Skenderajt dhe zyrtar i PDK-së, Nuredin Lushtaku.

“Të njëjtat pyetje asamblistja jonë i ka parashtruar në mbledhjen e Kuvendit Komunal ndaj kryetarit të Komunës për të marrë përgjigje. Përveç përgjigjeve të kryetarit, sot asamblistja e Lëvizjes u përballë edhe me kërcënimet dhe fyerjet e nënkryetarit të Komunës që vjen nga PDK, Nuredin Lushtaku të cilat i keni parë përmes videoinçizimeve. Të njëjtat kërcënime Lushtaku i ka përdorur edhe në mbledhje të komitetit duke u munduar të mbyllë zërin e opozitës dhe duke tentuar të mohojë çdo mendim kritik përbrenda komunës në stilin e një gangsteri”, thuhet në reagim.

VV-ja, përmes këtij reagimi i ka bërë thirrje prokurorisë të mos mbyllë sytë kur kërcënohen të zgjedhurit nga qytetarët.

“Po ashtu i bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharit, por edhe drejtueses së Kuvendit Komunal, Fatbardha Haliti, që të lejojnë asambleistët të shprehin mendimin e tyre, të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë llogari nga ekzekutivi i komunës dhe sjelljet e kërcënimet e tilla të përjashtohen nga Kuvendi Komunal”, është thënë në reagim.

“Por, Lëvizja Vetëvendosje i bënë të ditur z. Lushtaku dhe çdokujt të sojit të tij se asnjëherë nuk ka reshtur dhe nuk do të ndalet së bëri opozitë dhe së kritikuari çdo qeverisje e zyrtar drejtues të institucioneve publike. Gangsterët në hall me klanet e tyre, prej nga po del çdo ditë nga një aferë skandaloze, nuk mund të kërcënojnë përfaqësuesit e votuar nga qytetarët”, thuhet në fund të reagimit të VV-së.