Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu sot me rastin e përurimit të shtatores së heroit llapjan, Ali Ajeti ka bërë gafën e vitit, shkruan Llapi.info.

Ai gjatë fjalimit të tij ka huqur datën e vdekjes së heroit, fjalim në të cilin tha se Ajeti ka vdekur më 13 maj të vitit 1989 në një demonstratë e cila nisi nga shtëpia e tij e që përfundoi me gjakderdhje.

“Ai dhe shokët e tij të qetës së Llapit që tashmë fuqishëm ishin angazhuar për të mbrojtur autonominë që po suprimohej nga regjimi i Millosheviqit, organizuan demonstratën e 13 majit të vitit 1989 në Podujevë e cila tashmë ishte bërë kështjellë e rezistencës, qëndresës e protestave të një pas njëshme shqiptare. Demonstrata e 13 majit përkonte me vizitën e një komisioni nga Parlamenti Evropian që kishte ardhur në Kosovë për të mbledhur dëshmi e prova në kohën kur shqiptarëve po u shkeleshin të gjitha të drejtat, po rriheshin, vriteshin dhe kur po suprimohej edhe ajo pak autonomi administrative që kishin. Demonstrata që nisi nga shtëpia e Ali Ajetit përfundoi me gjakderdhje. Demonstruesit në Podujevë hasën në forca të mëdha policore dhe ushtarake të pozicionuara në të gjitha anët e qytetit. Në përleshjen e armatosur e cila zgjati më shumë se një orë u plagos për vdekje komandanti i qetës së Llapit Ali Ajeti” tha sot Veliu pas përurimit të shtatores.

Mirëpo Veliu me rastin e këtij fjalimi në një ditë të rëndësishme ka huqur keq datën e vdekjes së Ajetit. Madje sipas tij vdekja Ali Ajetin e ka marrë më shumë se 15 ditë më herët pasi që Ajeti u vra nga forcat serbe më 30 maj të vitit 1989 në një përballje me forcat serbe në Shtedim të Podujevës.

Për më shumë mund ta ndiqni videon në minutën e 8:15 sekonda./Llapi.info