Komuna e Podujevës ka organizuar manifestimin tradicional të fundvitit, zgjedhjen e Sportistit të Vitit, ku u nderuan me mirënjohje sportistë, klube dhe punëtorë sportivë dhe donatorë, transmeton Llapi.info.

Në manifestimin e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ku ishin të pranishëm kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hilmi Hoxha, Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Njazi Jashari dhe sportistë, trajnerë, punëtorë sportivë e donatorë llapjanë.

Kryetari Bulliqi përgëzoi sportistët llapjanë për rezultatet e treguara gjatë vitit 2021 si dhe ju uroj shëndet të mirë e suksese të reja në vitin 2022.

Në fjalën para të pranishmëve kryetari Bulliqi tha “Gjatë këtij viti jemi angazhuar maksimalisht që sporti ta ketë vëmendjen e shtuar. Përmes DKRS-së kemi subvencionuar sportistë, klube sportive e iniciativa të ndryshme që sado pak t’ju lehtësojmë barrën e shpenzimeve sportistëve llapjanë, unë zotohem para juve që gjatë vitit 2022 do të ofrojmë mbështetje më të madhe”.

Gjithashtu kryetari Bulliqi u zotua se gjatë vitit 2022 në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe me Federatat e Sportit të fillojnë ndërtimin e fushave të reja sportive dhe investimeve të ndryshme infrastrukturore sportive.

Gjatë kësaj mbrëmje u zgjodhën më të suksesshmit e sportit llapjan në vitin 2021.

Valmir Veliu nga klubi i futbollit Llapi u shpall sportisti i vitit në Komunën e Podujevës.

Ndërsa, vendi i dytë i takoi Demahmet Sinani nga klubi i karatesë – KK boks Kroni, kurse vendi i tretë i takoi Florentina Restelicës nga Klubi i Atletikës – KA Llapi.

Klubi i vitit u zgjedh KF Llapi, kurse trajneri i vitit u zgjedh Tahir Batatina.

Me epitetin Shpresë e Sportit u nderua Flondra Behrami nga KF Llapi. Punëtori sportiv i vitit u zgjedhën Bejtush Bejta nga KF Llapi dhe Muhamet Selmani nga KH Llapi.

Për prezantimin e aktiviteteve dhe rezultateve të klubeve sportive llapjane me mirënjohje u nderua gazetari i Radio Llapi, Enver Hyseni.

Me mirënjohje u nderuan edhe sportistë të kategorive të reja, punëtorë sportivë, veteranë e gjyqtarë./Llapi.info