Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA ka dhuruar inventar për çerdhen e vetme publike në Komunën e Podujevës “Armela”, raporton Llapi.info

Në këtë ceremoni morën pjesë Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, u.d i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Agim Blakçori dhe drejtori i TIKA, Hasan Burak Ceran.

Fillimisht Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivlicim Kiliç ka vizituar klasat dhe fëmijët në këtë çerdhe, duke dhuruar edhe disa lodra për ta. Ajo për medie tha se donacioni për këtë objekt është i një rëndësie të veçantë, pasi që është për të mirën e fëmijëve që të kenë një ambient më të mirë.

“Sot me një gëzim të madh, me lumturi e hapëm këtë çerdhe të pajisur me inventar, andaj jemi të gëzuar që jemi me ju sot. Unë iu uroj të gjithëve që ky projekt i realizuar nga TIKA për të gjithë juve. Pak më herët vizituam klasat së bashku ishim me fëmijët edhe i pamë që fëmijët janë shumtë të lumtur, të gëzuar me pajisjet nëpër klasat e tyre, me projektorë e lodra tjera. Shpresoj se të gjitha këto pajisje do të kontribuojnë në të ardhmen e këtyre fëmijëve. Jam e bindur se me këto pajisje, me këtë kontribut natyrisht edhe me angazhimin e juaj, e po ashtu edhe nën patronatin e Komunës së Podujevës, do të kenë një të ardhme më të mirë, të ndritshme me arsimin e tyre të kompletuar”, tha Kiliç.

Ndërsa, u.d i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Agim Blakçori e falënderoj organizatën si dhe Republikën e Turqisë për këtë donacion, siç e quan ai, mjaft të rëndësishëm.

“Falënderoj Qeverinë e Republikës Turke që përmes organizatës TIKA ka zgjedhur çerdhen “Armela” për të sjellë donacion dhe për t’iu krijuar kushte më të mira të gjithë fëmijëve që frekuentojnë në këtë institucion. Falënderoj në mënyrë të veçantë për arsye se kanë zgjedhur institucionin më të duhur për të sjell donacionin e tyre, kur dihet që këtu frekuentojnë fëmijët e vegjël. Gjithashtu shprehi gatishmërinë time që si Drejtor i Arsimit të bashkëpunojmë edhe në projekte tjera, kur dihet që Komuna e Podujevës është njëra ndër Komunat më të mëdha me territorin e Kosovës. Kemi 40 shkolla publike, 1 çerdhe publike rreth 20 mijë nxënës dhe presim bashkëpunim edhe në të ardhmen në projekte tjera”, tha Blakçori.

Kurse, drejtoresha e çerdhes publike “Armela” në Podujevë, Taibe Nishevci, ka mirëpritur këtë donacion duke shtuar se ua ka lehtësuar punën për mbarëvajtjen e procesit dhe plan programeve.

“Institucioni arsimor “Armela” është i vetmi institucion parashkollor në Komunën e Podujevës që është publik, i cili kujdeset për edukimin e fëmijëve prej moshë 1 deri në gjashtë vjeç. Punohet me plan programe, e për t’u realizuar këto plane duhet edhe kushte të cilat i kompletuam duket iu falënderuar TIKA-s. Fëmijët ishin të kënaqur me një atmosferë të mirë. Janë katër klasa, TIKA ka bërë shumë për këtë çerdhe duke filluar nga inventari, mandej laptop nëpër grupe dhe projektorë, kështu që është lehtësuar puna në këtë institucion për mbarëvajtjen e punës. Andaj, i falënderoj TIKA-n që ka kontribuar në këtë sepse është baza e një sistemi arsimor”, tha Nishevci.

Në fund, fëmijët e kësaj çerdhe të organizuar kanë dhuruar një shfaqje për mysafirët, kurse drejtoresha Taibe Nishevci, ka shpërndarë mirënjohje për drejtorin e TIKA-s, Hasan Burak Ceran dhe një dhuratë për Ambasadoren e Turqisë, Kiliç përgatitur nga vet fëmijët./Llapi.info