Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sonte përmes një video-mesazhi, u është adresuar për herë të parë qytetarëve pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj tij dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte.

Thaçi ka thënë se ai asnjëherë nuk ka bërë krime lufte, dhe se po të kthehej prapa në kohën e Millosheviqit, ai do të vepronte njëjtë.

“E kam kuptuar shumë herët se ne luftëtarët e UÇK-së do të paguajmë një çmim të madh njerëzor, familjar e politik. Ky është çmimi për lirinë e Kosovës. Është e drejtë se duhet të zbardhet çdo aktakuzë për krime të luftës. Gabime në paqe mund të kemi bërë, por krime lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha prapa në kohën e Sllobodan Millosheviqit do të bëja të njëjta gjënë”, ka thënë Thaçi në adresimin e tij.