Wolves është shumë afër kualifikimit në fazën eliminatore të Ligës së Evropës, pasi një fitore të siguruar në minutat e fundit të ndeshjes kundër Slovan Bratislavas. Mirëpo, një incident tjetër gjatë ndeshjes e mori vëmendjen në rrjete sociale.

Goli i shënuar me kokë nga Raul Jimenez në minutën e 92-të të ndeshjes ia siguroi Wolvesit fitoren me rezultat 1:0 dhe i la ata me nëntë pikë të grumbulluara nga katër ndeshjet e para, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, vetëm disa ditë pasi Andre Gomes e pësoi një lëndim të rëndë në këmbë gjatë përballjes së Evertonit në Premierligë me Tottenhamin, edhe një tjetër incident serioz ndodhi në stadiumin “Molineux”.

Afër fundit të pjesës së dytë, Jimenez tentoi të shënojë gol në mënyrë akrobatike brenda zonës së penalltisë, mirëpo e goditi mbrojtësin Kenan Bajric në kokë.

Bajric u nokautua nga ajo goditje dhe mori trajtim në fushën e lojës për rreth dhjetë minuta. Portieri i Bratislavas i erdhi në ndihmë menjëherë bashkëlojtarit të tij, duke e vendosur në një pozitë që e parandalon gëlltitjen e gjuhës.

Pas ndeshjes, trajneri Jan Kozak e pranoi se lëndimi ishte serioz.

“Ai është me vetëditje, por është i tronditur. Dukej si lëndim i keq, mjaft serioz. Njëra nga lojtarët vendas e goditi në kokë. Ai nuk do të kthehet në shtëpi me ne sonte, do të qëndrojë në spital”, tha Kozak.