Shefi i Grupit parlamentar të PDK Abelard Tahiri ka reaguar pas deklarimeve të djeshme të kryeministrit Albin Kurti pas takimeve që ka pasur në Bruksel.

Tahiri përmes një statusi në Faccebook ka thënë se “E gjithë bota e di se Serbia ka kryer krime në përmasa të gjenocidit edhe në Kosovë edhe në Bosnje, por për kryeministrin tonë, kriminelët e luftës nuk qenkan me adresë në Serbi. Ata qenkan të shpërndarë gjithandej në vendet e Ballkanit Perëndimor, aty ku bëjmë pjesë edhe ne. Ndonëse adresa e krimit dihet, sipas logjikës së kryeministrit Kurti i bie që përgjegjësia qenka e të gjithëve, edhe e jona”.

Tahiri më tutje ka kërkuar nga Kurti që të tregojë me emër e mbiemër se kush janë kriminelët e luftës në Kosovë.

“Ai sot duhet të tregojë me emër e mbiemër, kush qenkan kriminelët e luftës në mesin tonë, që i dashka jashtë institucioneve? Duhet të japë llogari për këtë darkë turpi, ku në vend se të kërkonte llogari për 13 mijë civilë të vrarë dhe për 1650 të zhdukur, ai i përgjithësoi e i barazoi viktimat me kriminelët e vërtetë” ka shkuar mes tjerash Tahiri.