Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të qeverisë Kurti.

Tahiri i quajti vendime arbitrare dhe politike që mund të sjellin pasoja afatgjate dhe pasiguri për korpusin e shërbyeseve civilë, ku rrezikohet edhe vazhdimësia dhe memoria institucionale

Postimi i plotë i Tahirit në Facebook:

Vendimet e fundit të qeverisë përkundër që në opinion mund të shihen si nevojë e shkëputjes nga trendët negative, megjithatë kjo rrezikon të kthehet në një praktikë që në esencë e minon përkushtimin shumë vjeçar të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë për reforma në Administratë Publike.

Zvogëlimi i ministrive dhe ristrukturimi i tyre është domosdoshmëri, megjithatë një qasje e ngutshme në mungesë të procedurave dhe legjislacionit adekuat, devijon fokusin nga reformat sistematike. Vendimet arbitrare dhe politike mund të sjellin pasoja afatgjate dhe pasiguri për korpusin e shërbyeseve civilë, ku rrezikohet edhe vazhdimësia dhe memoria institucionale.

Vendimet për ristrukturim, me paqartësi për pozicionet e larta drejtuese mund të kthehet në praktika të rrezikshme për shërbimin civil dhe zyrtarët e lartë publikë.

Në esencë, ristrukturimi duhet të bazohet në procedura të qarta dhe që shkojnë në linjë me parimet e vendosura në procesin e reformës. Parime të promovuar nga BE, e të ofruara nga kontributi i SIGMA-së, në procesin e reformës.

Në funksion të kësaj, një qasje koherente ndaj reformës dhe përmbyllja e saj e plotë me ristrukturim të kabinetit qeveritar, duhet të ndiqet me procedura të qarta, me miratimin e Projektligjit për Qeverinë dhe me zbatimin e tri Ligjeve të Pakos së reformave në administratën e shtetit.