Policia në Shqipëri dhe Kosovë kishte dy muaj që priste ngarkesën prej 400 kilogramë kokaine që ishte fshehur në paketa me mish të nisur nga Brazili. Sinjali raportoi ekskluzivisht se u arrestuan dy persona.

Atij i ishte vendosur GPS nga DEA amerikane dhe pritej që të mbërrinte në portin e destinacionit final që ishte Durrësi.

Më pas, policia kishte vendosur që të lejonte kalimin në port për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i 400 kilogramëve kokainë të nisur nga Brazili, ndërkohë që priste këtë ngarkesë, policia ka kapur gjatë kontrolleve rutinë edhe dy ngarkesa të tjera me kokainë.

E para u kap më datë 1 prill dhe kishte një peshë totale prej 49 kilogramësh. Kokaina në fjalë u kap në kontejnerin e biznesit të babait të Arbër Çekajt, i cili u arrestua disa vite më parë për futjen e më shumë se 600 kilogramëve kokainë në vend.

Ngarkesa e dytë u kap më datë 10 prill dhe kishte një peshë totale prej 142 kilogramë. Në total nga 1 prilli, deri më tani janë kapur plotë 591 kilogramë kokainë që ka pasur destinacion portin e Durrësit.

Ndërkohë që kontejneri ishte nën vëzhgim, policia po priste për personat që do ta merrnin atë. Më në fund në port vjen një kamion me targa 01 263 OD, i cili ngarkoi kontejnerin dhe u nis për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila pas ndjekjes ka arritur të zbulojë se kishte ndaluar në Lipjan.