Sot është shënuar 23-vjetori i njëra prej betejave më të lavdishme të UÇK-së jo vetëm në Llap, por edhe në gjithë Kosovën e njohur si “Beteja e Kaçandollit”, njofton Llapi.info.
Me këtë rast, pranë lapidarit të dëshmorëve të rënë në këtë betejë janë bërë homazhe nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja, Marigona Lahu, anëtarë të ekzekutivit, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë.
“Sot në 23 vjetorin e rënies së dëshmorëve në Betejën e Kaçandollit, bashkë me nënkryetaren Marigona Lahu, anëtarë të ekzekutivit, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë, bëmë homazhe tek Lapidari i dëshmorëve të rënë në Betejën e Kaçandollit. Beteja Kaçandollit është njëra ndër betejat e para dhe më të lavdishme të UÇK-së, betejë e cila na bën krenar secilin prej nesh dhe na obligon të punojmë që të realizojmë amanetin e dëshmorëve të kombit. Falë luftës dhe rezistencës së këtyre dëshmoreve, ne sot gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Betejës së Kaçandollit. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka shkruar në një postim në Facebook, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Gjatë betejës më 15, 16 dhe 17 shtator të vitit 1998 ranë edhe shtatë dëshmorë: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Habib Zeka, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Islam dhe Selim Rekaliu, si dhe u plagosën disa luftëtarë të tjerë./Llapi.info





