Lionel Messi nuk e meritoi të largohej nga Barcelona në mënyrën sesi ndodhi dhe largimi i tij ka mundur të shmangej, këmbëngul presidenti i La Ligës, Javier Tebas.
Barcelona u përpoq të nënshkruante marrëveshje të re me Messin, pasi kontrata e tij e kaluar kishte skaduar në fund të sezonit të kaluar, raporton Gazeta Express.
Por palët nuk arritën të nënshkruanin marrëveshje, megjithëse ishin të pajtimit për të vazhduar së bashku edhe më tutje. Barça u ankua se rregullat financiare të La Ligës bënë që bisedimet të dështonin.
Tebas e pranon se largimi i gjashtë herë fituesit të Topit të Artë është goditje e rëndë për ligën elitare spanjolle.
Reklamë
“Mbase largimi i Messit ka qenë më i dhimbshmi, sepse unë personalisht e vlerësoj atë si lojtarin më të mirë në histori. Ai nuk e meritoi të largohej ashtu, jo vetëm për Barçën por edhe për La Ligën”, tha Tebas.
A ishte largimi i Messit i shmangshëm?
Pasi Messi dhe Barça hoqën dorë nga nënshkrimi i marrëveshjes së re, gjiganti francez Paris Saint-Germain e rrëmbeu sulmuesin argjentinas.
Tebas këmbëngul se 34-vjeçari ka mundur të qëndronte në Camp Nou dhe është i bindur se kjo do të dëshmohet sapo të publikohen shifrat financiare të klubit.
“Bisedova përmes telefonit me Laportën (presidentin e Barcelonës) dhe me bordin e tij të drejtorëve. Kërkuam gjetjen e një zgjidhjeje, nëse arsyeja ishte ekonomike. Por ka qenë për një arsye tjetër, nuk mund ta vlerësoj më”, theksoi Tebas.
Ai shtoi: “Mendoj se sezonin e ardhshëm, kur Barça t’i publikoj numrat, ne do ta shohim nëse Messi ka mundur të qëndronte apo jo. Edhe pse e respektoj vendimin e klubit, gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë. Nuk ishte për arsye ekonomike, e di këtë sigurt”.