Ka dështuar seanca ndaj të akuzuarit për vjedhjen e rrymës në vlerë prej 299 euro, Besnik Kryeziu, pasi ky i fundit nuk është sjellë me detyrim në gjykatë pavarësisht se ka pasur një urdhëresë.

Gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan, Avdirrahman Gashi ka thënë se Kryeziu ka qenë i paarritshëm për të sjellë me detyrim në seancë.

Në mungesë të kushteve ligjore, Gashi ka thënë se seanca e radhës do të caktohet me akt të veçantë.

Ndryshe prezent në seancë sot nga prokuroria e shtetit ishte Bekim Kodraliu, si dhe nga pala e dëmtuari KEDS, përfaqësuesi i tyre avokati Besart Selmani.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 18 dhjetor 2020, Besnik Kryeziu po akuzohet se më 3 shtator 2019, në shtëpinë e tij në fshatin Sllovi – Komuna e Lipjanit, me dashje dhe me qëllim ka siguruar shërbime për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit dhe ka shmangur pagesën për shërbime të tilla.

Sipas aktakuzës, me rastin e kontrollit nga punëtorët e KEDS-it, është konstatuar se i pandehuri ka bërë lidhje direkte në rrjetin elektrik, pa njehsor dhe pa autorizim të furnizuesit dhe në këtë mënyrë është furnizuar pa matje.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarës KEDS, sipas shërbimit të faturimit, i akuzuari i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 299.89 Euro.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “ Vjedhja e shërbimeve” nga neni 314, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)./BetimipërDrejtësi