Policia ka arrestuar një person me shtetësi serbe, i cili akuzohet për ‘’dhënie ryshfeti’’ në Vushtrri.

‘’Policia ndaloi një veturë në rrugën Prishtinë – Mitrovicë (në Vushtrri). Zyrtarët policorë, pas ndaljes së veturës, drejtuesit të saj ia bëjnë me dije arsyen e ndaljes. Gjatë kohës që zyrtarët policorë po shqiptonin gjobën për tejkalim shpejtësie, i dyshuari B.Gj., viti i lindjes 1978, ka kërkuar nga zyrtarët policorë të mos i shqiptojnë tiketë dhe ua ka ofruar 1000 dinarë (monedhë e Serbisë)’’, thuhet në njoftimin e Policisë.

‘’Zyrtarët policorë kanë ftuar në vendngjarje njësinë e hetimeve të PK-së, të cilët kanë iniciuar rastin ’dhënie ryshfeti’, kanë konfiskuar kartëmonedhën’’, vijon tutje njoftimi.

I dyshuari është arrestuar dhe dërguar stacion policor. Pas intervistimit të të dyshuarit, me vendim të prokurorit kujdestar, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.