Manchester City ka shkatërruar Chelsean 6 me 0 në Premier Ligë të dielën dhe ish-futbollisti i Liverpoolit, Jamie Carragher, tash analist i futbollit në “SkySports”, nuk ka kursyer kritikat ndaj trajnerit të “Bluve”, Maurizio Sarri.

Pas këtij debakli, ai ka krahasuar Chelsean me Arsenalin e kohës së Arsene Wengerit.

Sergio Aguero realizoi tre gola, dy tjerë i shënoi Raheem Sterling e një tjetër Ilkay Gundogan.

Vetë Sarri publikisht ka thënë se po ka problem t’i motivojë lojtarët e tij, ndërsa Carragher ka thënë se ata po i ngjajnë Arsenalit dhe humbjeve turpëruese në vitet e fundit të menaxhimit të Arsene Wengerit.

“City ka qenë i jashtëzakonshëm, por kjo ishte më keq se gjithçka tjetër nga Chelsea këtë sezon. Është vetëm gjysma e sezonit të parë të Sarrit, por më e keqja që mund të them është se e ka kthyer Chelsean në Arsenal. Arsenali mposhtej thellë kur luante jashtë shtëpisë në shtatë apo tetë vjetët e fundit sepse ishin tejet të dobët. S’mund ta themi këtë për të kaluarën e Chelseat, por kjo tash ngjan në ekip të dobët”, ka thënë Carragher.