Lokale - eSIMy

Në javët e fundit është rritur numri i rasteve të reja me COVID-19 në Komunën  Podujevës, raporton Llapi.info.

Vetëm përgjatë 24-orëve të fundit, në këtë Komunë janë regjistruat 11 raste të reja me virusin korona.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 5 raste janë në qytet, 2 në fshatin Lluzhan, 2 në fshatin Sfeçël, një rast në fshatin Llapashticë e Epërme dhe një në Bradash.  

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama, për Llapi.info ka thënë se numri i rasteve aktive ka arritur në mbi 220.

“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik na ka njoftuar sot për 11 raste të reja me koronavirus në rajonin e Podujevës. Me këto të fundit, tashmë i kemi 226 raste aktive”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se çdo ditë në QKMF testohen rreth 100 qytetarë llapjanë.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 3 mijë. Deri tash janë raportuar 45 viktima, kurse 2.911 pacientë janë shpallur të shëruar.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të dielën 548 raste me koronavirus, pas testimit të 4.193 mostrave në institucionet publike dhe ato private.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), më 7 mars janë regjistruar nëntë viktima.

Në po këtë ditë, sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi e kanë tejkaluar 301 persona, derisa 9.413 raste vazhdojnë të jenë aktive.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet e këtij vendi kanë regjistruar 73.048 persona të infektuar me këtë virus. Prej tyre 1.649 kanë vdekur./Llapi.info