Një grup nxënësish janë rrahur mes vete afër shkollës “Dardania” në kryeqytet, pasi e përfunduan testin e arritshmërisë. Për pasojë, njëri nga ta edhe u lëndua me thikë në shpatull. 15 vjeçari po trajtohet në Kirurgjinë Torakale në QKUK. Mjekut kujdestar, Frederik Çuperjani, tregoi se i mituri nuk ka plagë serioze.

Sipas policisë, të përfshirë në përplasje kanë qenë 4 të mitur.

“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është plagosur një person. Hetuesit policor kanë nisur hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, tha për Klan Kosova, Flora Ahmeti, zëdhënëse policore për rajonin e Prishtinës.

Drejtori i shkollës “Dardania”, Isak Bregaj, tha përmes telefonit se nxënësit e përfshirë në incidentin që, sipas tij, ndodhi jashtë oborrit, kanë qenë nga shkolla “Hasan Prishtina”, të cilët e kanë mbajtur testin këtu.

Ende nuk dihen zyrtarisht motivet që çuan te plagosja.