Gjykata Themelore në Prishtinë sërish ka kthyer në ri-qartësim video–incizimet nga vendi i ngjarjes, në rigjykimin ndaj të akuzuarve për vrasje, Sedat e Fejard Llugaliu. Ri-qartësimi do të bëhet për vetëm 3 minuta dhe atë, nga minuta 36 deri në minutën 39.
Në seancën e së mërkurës, gjykata ka dëgjuar sërish ekspertin Besim Hasanaj, mbi gjetjet e raportit nga video-incizimet pas ri-ekzaminimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo pas propozimit të palës së dëmtuar, të bërë nga avokati Ahmet Tahiri, gjykata sërish ka kthyer në ri-qartësim video–incizimet nga vendi i ngjarjes.
Gjatë deklarimit të tij, eksperti Hasanaj tha se mbetet në tërësi pranë raportit të ekspertimit të datës 28 maj 2021.
Përkundër se i njëjti ishte ftuar në këtë seancë për qartësimin e raportit të ekspertimit të video – incizimeve, ndaj tij nuk u parashtrua asnjë pyetje nga ana e prokurores Besa Limani dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar.
Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Llugaliu, avokati Gëzim Kollqaku, deklaroi se nuk kanë pyetje për ekspertin pasi nuk shihet asgjë në video – incizim.
Në pyetjen e gjykatësit Kujtim Krasniqi, se a mund të qartësohen më shumë këto video–incizime nga vendi i ngjarjes, eksperti deklaroi se me mjetet të cilat ky institucion ka në dispozicion nuk ka mundësi të bëhet më shumë se kaq.
Lidhur me mjetet që i posedon Agjencia për Forenzikë e Kosovës (AKF), eksperti deklaroi se këto mjete janë programe që përdoren nga shumica e instituteve forenzike në laboratorët ndërkombëtarë.
Sa i përket mënyrës së sigurimit të këtyre mjeteve, eksperti deklaroi se janë siguruar si donacion në vitin 2014 nga bashkësia ndërkombëtare.
Me kërkesën e të dëmtuarit Avdyl Bunjaku u bë shikimi i video–incizimit në minutat 36 deri 39, në të cilat sipas tij shihen të akuzuarit me armë duke shkuar me vrap dhe duke u kthyer sërish në automjet.
Lidhur me këtë, eksperti deklaroi se kjo pjesë nuk është qartësuar dhe se qartësimi është bërë vetëm për pjesën që gjykata ka urdhëruar.
Përfaqësuesit e palës së dëmtuar, avokatët Ahmet Tahiri dhe Fortesë Mehmeti, propozuan që të bëhet ri-qartësimi i video–incizimeve nga minutat 36 deri në minutën 39.
Por eksperti deklaroi se qartësimi është bërë në komplet videon, mirëpo fokusimi është bërë sipas urdhëresës vetëm në minutat e kërkuar.
“Ekspert duhemi me bo edhe një ri-qartësim”, tha gjykatësi Krasniqi, ku më pas kërkoi nga palët të deklarojnë se a ka nevojë që të ftohet sërish eksperti. Këta të fundit deklaruan një gjë e tillë nuk është e nevojshme, me arsyetimin se eksperti është dëgjuar disa herë.
Avokati Ahmet Tahiri kërkoi nga gjykata që përpos qartësimit të kamerës me numër 12, të qartësohet edhe kamera numër 1, ku shihet vetura “Mercedes” tek kthehet prapë tek vendi i ngjarjes dhe personat që dalin nga ajo veturë dhe vrapojnë me mjete në duar drejt vendit të ngjarjes.
Mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skender Musa deklaroi se i kanë shikuar video–incizimet disa herë, mirëpo nuk ka asgjë që duket apo që ka nevojë të qartësohet.
“Për të mos u prolonguar procesi gjyqësor dhe të hiqet çdo paqartësi, le të qartësohen edhe një herë kamerat”, shtoi tutje ai.
Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e avokatit Tahiri për qartësim të video–incizimeve nga vendi i ngjarjes.
Sa i përket propozimit për ri-konstruimin e vendit të ngjarjes të bërë më herët nga ana e prokurorisë, prokurorja Limani dhe përfaqësuesit e palës së dëmtuar deklaruan se mbeten pranë tij.
Mirëpo ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve, me arsyetimin se të mbrojturit e tyre nuk janë pjesë e vendit të ngjarjes.
Avokati Kollqaku tha se ri-konstruimi i vendit të ngjarjes bëhet nga ana e të akuzuarve që kanë qenë pjesë e vendit të ngjarjes, e sipas tij, në rastin konkret i mbrojturi i tij nuk ka qenë fare pjesë e vendit të ngjarjes.
Se i mbrojturi i tij nuk ka qenë pjesë e vendit të ngjarjes deklaroi edhe avokati Musa.
“Në bazë të aktakuzës në e shohim të panevojshme të dalim në ri-konstruim për shkak se procesi gjyqësor ndaj personit që dyshohet se e ka privuar nga jeta është veçuar”, tha avokati Musa, duke iu referuar të akuzuarit Esat i cili akuzohet për privimin nga jeta të të ndjerit Bunjaku.
Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e prokurores Limani dhe urdhëroi ri-konstrumimin e vendit të ngjarjes.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 17 qershor 2021, nga ora 9:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë, Sedat Llugaliu, ndërsa e ka liruar nga kjo akuzë vëllain e tij, Fejard Llugaliu.
I akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte dënuar me 18 vite burgim efektiv, kurse ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën vepër u dënua vëllai i tij, Fejrad Llugaliu, me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Ndërkaq, për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu ishte liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte vërtetuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.
Por, me një vendim të tillë nuk ishin pajtuar familja Bunjaku, e cila përmes përfaqësuesit të tij, avokatit Tomë Gashi, kishin këruar nga Gjykata e Apelit që ndaj të akuzuarit Sedat Llugaliu, të shqiptohet një dënim maksimal apo i përjetshëm, ndërkaq vëllai i tij, i liruar nga akuza për vrasje, të dënohet.
Me vendimin e shkallës së parë, nuk ishte e kënaqur as Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila përmes ankesës së ushtruar kundër këtij aktgjykimi, kishte kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore, vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe mbi vendimin për dënim.
Prokuroria kishte propozuar që ndaj të dënuarit Sedat Llugaliu të shqiptohet një dënim më i ashpër, ndërsa i liruari nga akuza Fejard Llugaliu të dënohet sipas ligjit.
Ndërkaq, pafajësinë për të mbrojturin e tij, e kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, mbrojtësi i dënuarit Sedat Llugaliu, avokati Gëzim Kollqaku.
Sipas tij, gjykata e shkallës së parë ka përshkruar provat materiale dhe jo materiale, por të njëjtat nuk i ka arsyetuar në atë masë, që për secilën provë të tregojë se çka kanë vërtetuar.
Ai i kishte propozuar gjykatës, që në mungesë të provave i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, apo çështja të kthehet në rigjykim.
Ndërkaq i kënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë kishte qenë, mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skëndër Musa.Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke aprovuar ankesën e prokurorisë.
Sipas aktakuzës së ngritur me 5 prill 2017, vëllezërit Llugaliu më 7 shkurt të vitit 2016, rreth orës 21:40, në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes të pandehurve dhe personave NN, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku, nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku rreth biznesit, duke rrezikuar edhe Arafat Fetën, të pandehurit u kanë dal në pritë Fetës dhe Bunjakut.
Sipas aktakuzës, Esat Llugaliu, ka shtënë në drejtim të tyre me pistoletë dhe bashkë me të kanë shtënë edhe personat NN dhe të pandehurit Fejard dhe Sadat Llugaliu që kanë dal nga vetura e tyre, kurse personat NN kanë qene të fshehur në qoshe të një ndërtese.
Për të shpëtuar nga të shtënat me armë, aktakuza thotë se Feta ka dal nga vetura dhe ka ikur, kurse, tani i ndjeri Fahri Bunjaku është qëlluar me armë zjarri dhe në atë gjendje ka dal nga vetura, por pasi të shtënat nuk janë ndalur në vetëmbrojtje ka shtënë në drejtim të tyre dhe ka ikur drejtë shtëpisë së të dëmtuarit Halit Kika.
Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”./BetimipërDrejtësi