Real Madridi ka arritur të mposht Barcelonën me rezultat 1-3 në ndeshjen El Clasico të vlefshme për javën e shtatë në La Liga.

Mbretërit kanë arritur të triumfojnë në Camp Nou në një ndeshje plot spektakël dhe me këtë fitore kanë rrëmbyer pozitën e parë në La Liga.

Pjesa e parë e ndeshje u karakterizua me lojë për një nuancë më të mirë nga mysafirët, edhe pse të dy klubet shënuan nga një gol.

Të parë në epërsi kaluan Mbretërit, pasi në minutën e pestë ishte Federico Valverde, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Karim Benzema.

Barcelona arriti të kthehet në lojë në minutën e tetë duke barazuar 1-1 me golin e Ansu Fati, i cili u asistua nga Jordi Alba.

Edhe përkundër rasteve të shumta nga të dyja skuadrat rezultati mbeti i pandryshuar dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat të barabartë.

Në pjesën e dytë, Barcelona ishte më kërkuese krijoi më shumë në fillim të kësaj pjese, por Reali u kthye shpejt në lojë duke krijuar gjithashtu shumë dhe duke shënuar edhe dy gola tjerë për të siguruar fitoren.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 63-të dhe ishte Sergio Ramos që shënoi për 1-2 nga penalltia, e cila erdhi pas rishikimit të VAR-it.

Deri në fund të ndeshjes, pati raste nga të dyja skuadrat, por goli i sigurisë erdhi vetëm në fund.

Ishte kroati Luka Modric që shënoi një supergol dhe vendosi rezultatin përfundimtar 1-3.

Pas kësaj fitore, Reali e sheh veten lider në tabelë me 13 pikë, ndërsa Barcelona renditet e dhjeta me 7 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Barcelona udhëton te Alaves, ndërsa Reali e pret Huescan.