Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në debatin publik me qytetarë të mbajtur ditë më parë, ka prezantuar  realizimin e projekteve dhe ato të parapara të realizohen, shkruan Llapi.info.

Kreu i Podujevës, me këtë rast, ka deklaruar se tani punët, sipas tij, po kryhen me një buxhet të planifikuar nga qeverisja paraprake e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Në kuadër të drejtorisë së Administratës kemi organizuar shërbime ndaj qytetarëve gjatë komplet orarit të punës pa pauzë, kemi filluar publikimin e shpenzimeve, është instaluar sistemi për organizimin e pritjes për marrjen e shërbimeve, kemi krijuar programin “one stop shop” si dhe kemi inkuadruar shërbimet e postës brenda komunës”, tha Bulliqi.

Duke iu referuar aktiviteteve të drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ai tha se është rritur inkasimi i të hyrave vetanake dhe janë futur në listë të tatimit në pronë shumë ekonomi familjarë të cilat ishin të paregjistruara.

Nga Drejtoria e Arsimit tha se po investohet në renovimin e disa objekteve shkollore dhe në ndërtimin e infrastrukturës sportive.

“Në Balloc objekti i shkollës po shkon drejt përfundimit, në disa shkolla po realizohen projektet e efiçencës së energjisë, po vazhdohet me ndërtimin e fushave sportive dhe së shpejti fillon implementimi i projektit për çerdhen e dytë të qytetit. Gjatë kësaj kohe janë shpërndarë edhe bursa për nxënës dhe studentë”, tha ai.

Ndërsa në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ai përmendi investimet në zgjerimin e hapësirave të bibliotekës së qytetit, renovimin e palestrës “Hakif Zejnullahu” renovimin dhe krijimin e infrastrukturës ligjore për Teatrin “Avdush Hasani”

Në sektorin e shëndetësisë tha se ka qenë një situatë shumë e rënduar, ndërsa qysh në fillim janë ndërmarrë masa për zgjerimin e hapësirave për shërbim ndaj pacientëve dhe ndarja e shërbimeve për pacientet me Covid-19, funksinalizimi i shërbimit të patronazhit, sallës së infuzioneve, repartit të stomatologjisë dhe mamografisë. Po ashtu, ka filluar puna në dy ndërrime në Orllan dhe Kërpimeh.

Krahas avancimit të shërbimeve, kryetari Bulliqi tha se investime po bëhen edhe në rregullimin e hapësirave të jashtme të QKMF-së.

Në infrastrukturë, ai tha se po vazhdon puna me intensitet në fazën e dytë të ndërtimit të “Bulevardit të Qytetit” ndërsa po punohet edhe në projekte tjera të kësaj fushë.

“Dinamika e punës në Bulevard është rritur dhe punët shpresoj të kryhen brenda afateve. Po punohet në asfaltimin e rrugëve të planifikuara. Shpejt do të fillojmë edhe me fasadimin e objekteve në qendër. Ndërsa, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, janë ndërtuar 6 km kanalizim, 8 km trotuare, ndërsa 22 km rrugë janë trajtuar me zhavor. Në partneritet me AZHR-në do të ndërtohen ura të reja në Sfeçël, Gllamnik dhe Bajçinë, ndërsa deri në fund të vitit do të ndërtohen edhe 11 ura dhe kalesa të tjera”, ka deklaruar.

Në fushën e bujqësisë, Bulliqi tha se ka vështirësi, sidomos në kontratat për furnizim me serra dhe mbjelljen e drunjve dekorativë, ku në të dy rastet kompanitë pas nënshkrimit të kontratave, kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara dhe janë tërhequr, për këto kompani ai u zotua se do të futen në listën e zezë, ndërsa për këto projekte, komuna do të fillojë procedura të reja. Ndërsa nga kjo drejtori deri më tani janë realizuar projektet për mbështetjen e fermerëve me 70 krerë mëshqerra, mbështetja me fidane të mjedrrës, janë shpërndarë 50 mullinj dhe së shpejti, sic është shprehur ai, do të shpërndahen shoqëri bletësh për 105 bletarë.

Në anën tjetër, qytetarët që ishin prezent në këtë takim të thirrur nga Bulliqi, kanë kërkuar asfaltim rrugësh, rrjete kanalizimesh dhe projekte tjera infrastrukturore. Gëzim Krasniqi nga fshati Halabak, ka thënë një pjesë e rrugës në “Lagjen Krasniqi” dhe kanalizimet e kanë në gjendje katastrofale.

“Ne po duam ta dimë sa ka hyrë në listë të pritjes një pjesë e rrugës që ka mbetur në gjendje të keqe dhe po ashtu atyre të kanalizimeve”, ka thënë Gëzim Krasniqi nga fshati Halabak.

Në një përgjigje për të, drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, i ka thënë se projekti do të mbetet për realizim në vitin tjetër.

“Në rrugën fitorja në lagjen tonë ka mungesë të ujit, edhe pse e kemi bërë ne vetë rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit para disa vjetëve. Por, ujë të pijshëm të ujësjellësit nuk kemi”, është shprehur Isak Kosumi nga fshati Zhiti, duke kërkuar që t’i bëhet një zgjidhje kësaj çështjeje.

Xhafer Ademi nga komuniteti ashkali ka kërkuar që t’u ndërrohen gypat e ujit, të rregullohen disa rrugë me kubëza dhe po ashtu ka kërkuar që t’u ndahet një pronë për ndërtimin e një lagje sikur “Lagjja e Dëshmorëve”. Për mjete ka thënë se i siguron vetë ai, pasi është përfaqësues i një organizate joqeveritare. Për këto, zyrtarët komunalë i kanë premtuar se do t’i realizojnë.

Kërkesat për asfaltim rrugësh dhe projekte tjera i kanë bërë banorët nga fshatrat; Halabak, Llapashticë e Poshtme, Lluashë, Gërdoc, Zhiti, Penuhë dhe banorë të fshatrave tjerë./Llapi.info