Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKMRT), e ka quajtur ditë historike dënimin e ish-rezervistit të policisë serbe, Zoran Vutkoviq. Mirëpo kjo qendër nuk është e kënaqur me lartësinë e dënimit prej 10 vitesh, duke shtuar se do të kërkojnë rritje të dënimit, raporton Ekonomia Online.

“Një dite kaq historike për neve, është marr vendim që Zoran Vutkoviq është dënuar me 10 vite burgim për krimet gjatë luftës në Kosovë dhe krimin e dhunës seksuale ndaj një femre gjatë luftës në Kosovë. Është ditë historike se për herë të parë nga Gjykatat tona po jepet dënim për një krim të tillë”, tha se Sebahete Pacolli Krasniqi, nga QKRMT

Ndërsa, Fatmire Haliti juriste në QKRMT, tha se nuk janë të kënaqur me lartësinë e dënimit prej 10 vitesh, duke shtuar se do të kërkojnë në Apel rritje të dënimit.

“Ne e kemi mirëpritur si aktgjykim të parë dënues, sa i përket dënimit ne si organizatë joqeveritare sigurisht nuk jemi të kënaqur me lartësinë e dënimit prej 10 vitesh sepse meriton më shumë, në komunikim me prokurorinë Speciale do t’i paraqesim ankesat tona dhe në Apel do të kërkojmë rritjen e dënimit ndaj atij dhunuesi”.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit në mars të vitit 2020.

Sipas njoftimit te Prokurorisë, Vukotiq “më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.