Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka pritur sot në takim ambasadorin austriak në Kosovë, Christoph Weidinger, me të cilin bisedoi për proceset integruese dhe për mbështetjen e integrimit Europian të Kosovës.

Weidinger theksoi se qeveria e re austriake ka deklaruar në programin e saj, se me prioritet te lartë do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe se do angazhohet edhe më tej në procesin e libaralizimit të vizave,njofton Klan Kosova.

Ai gjithashtu tha se Austria është mbështetetëse e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Weidinger informoi Rekën se Austria është investitori i katërt më i madh në Kosovë dhe mbështet projekte në sektore të ndryshme si në arsim të lartë, shkencë, ekonomi, biznese të vogla dhe të mesme e tjera. Ky shtet radhitet i pari si investitori më i madh në fushën e arsimit të lartë.

Ndërkaq, Reka e falënderoi Weidinger dhe shtetin austriak për përkushtimin e tyre për të ndihmuar Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.