Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë.

Përmes këtij vendimi, BQK kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 përqind.

“Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 22 qershor 2021 të Byrosë Kosovare të Sigurimit mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia, dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Po ashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 korrik 2021 deri më 31 dhjetor 2021.

Qeveria e Kosovës me 22 qershor të mori vendim që të mbulimin e plotë të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët që janë subjekt i polises kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për të mbuluar policen e sigurimit.

Mirëpo me këtë vendim të BQK-së, Qeveria e Kosovës do të paguaj vetëm 65% të policës së sigurimit, ndërsa pjesa tjetër prej 35% do të paguhet nga ana e BQK-së.

Edhe në vitin e kaluar kjo pagesë ishte mbuluar nga ana e qeverisë. Vitin e kaluar Qeveria e Kosovës kishte paguar 1.1 milionë euro, pasi që për shkak të pandemisë, ardhja e bashkatdhetarëve ka qenë më e vogël.