Pronarët e transportimeve të udhëtarëve nga Podujeva edhe sot kanë vazhduar me grevën e tyre duke anuluar kështu të gjitha transportimet e mundshme të qytetarëve për në Prishtinë e anasjelltas, raporton Llapi.info.

Ata për Llapi.info thanë se nuk e kanë ndërmend që të fillojnë punën deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga Komuna e Podujevës. Kanë thënë se e gjithë kjo grevë do të varet prej komunës. “Sa më e gjatë të jetë koha që nuk përmbushen kërkesat tona, aq e gjatë do të jetë edhe greva jonë” thanë shoferët e autobusëve.

Derisa të gjithë autobusët qendrorin të parkuar në stacionin e tyre, qytetarë të shumtë nga Podujeva janë parë duke pritur për taksi ilegal për të udhëtuar drejt kryeqytetit.

E në anën tjetër gjatë ditës së djeshme, shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi tha për Llapi.info se Inspeksioni komunal është vazhdimisht në teren duke ndërmarrë masat adekuate ndaj taksistëve ilegal.

Ai tha se vetëm gjatë muajit shkurt, taksistëve ilegal në Podujevë u janë konfiskuar 51 automjete.

“Në një operacion të përbashkët me inspektorët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policinë e Kosovës, gjatë muajit shkurt, taksistëve ilegalë u janë konfiskuar 51 automjete dhe janë bërë 51 aktvendime dhe 58 procesverbale ndaj tyre. Ndërsa gjatë vitit 2017 inspektorët komunalë të komunikacionit rrugor kanë realizuar 1,505 kontrolle të rregullta inspektuese të përbashkëta” përfundoi ai./Llapi.info