Profesori në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben Meir, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se Asociacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive është në dëm të Kosovës, prandaj sugjeron Kurtit që të rezistojë dhe të mos e pranojë të njëjtin. Gjithashtu, ai thotë se Serbia duhet të ndjek shembullin e Gjermanisë dhe të pranojë krimet kundër njerëzimit, pasi gjenocidi i Serbisë në Kosovës është i pamohueshëm.

Në këtë linjë, Ben Meir ka thënë se ashtu si e vendosi, Vuçiq duhet të largojë edhe pllakatin me emrin e Ratko Mlladiqit në një rrugë në Beograd.

Profesori Ben Meir ka deklaruar se brenda territorit të Kosovës nuk mund të ketë Asociacion të komunave me pushtet ekzekutiv pasi një gjë e tillë do t’ia lejonte Serbisë të ketë fuqi ekzekutive mbi këto komuna.

Sipas tij, kjo do të nënkuptonte dhënie e një territorit të Kosovës Serbisë. Ben Meir ka shtuar se Kurti duhet t’i rezistojë Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse i njëjti synon të fitojë fuqi ekzekutive, e ku Serbia do ta mbikëqyrte atë lloj fuqie.

“Mendoj se Kurti ka plotësisht të drejtë. Nuk mund të kemi Asociacion të komunave me pushtet ekzekutiv, sepse një gjë e tillë do t’ia lejonte Serbisë të ketë fuqi ekzekutive mbi këto komuna. Kjo do të nënkuptonte dhënie të këtij territori Serbisë. Ne nuk duam të kemi ndryshime territoriale. Prandaj, në pikëpamjen time, Kurti duhet t’i rezistojë Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse i njëjti synon të fitojë fuqi ekzekutive, ku Serbia do ta mbikëqyrte atë lloj fuqie. Që do të nënkuptonte se ata do ta kontrollonin atë territor për qëllimet e veta. Por, çdo Asociacion normal mes dy vendeve, mund të sjell normalizim të marrëdhënieve mes dy palëve, edhe pa fuqinë ekzekutive që do t’i jepej Serbisë mbi këto komuna. Kjo është e mundshme. Nuk do të thotë se duhet të jetë e tëra ose asgjë, por mund të jetë një lloj marrëdhënie e tillë, e cila do të siguronte se Serbia nuk do të ketë fuqi ekzekutive në këto komuna”, ka thënë ai.

Profesori i njohur amerikan, ka komentuar edhe paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Ai ka propozuar që Serbia të ndjek shembullin e Gjermanisë për krimet ndaj njerëzimit, së pari të pranojë këto krime, e pastaj t’i dënojë përgjegjësit.

Profesori Ben Meir, në këtë intervistë për KosovaPress-in, ka kujtuar edhe takimet që janë mbajtur në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit të kaluar, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Ai ka thënë se këto takime u bënë për ta glorifikuar Trumpin, e jo për të ndihmuar normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pa diskutim që Kurti ka përkrahje të madhe nga publiku dhe ai nuk është fajtor për atë që ka ndodhur në të kaluarën. Kështu që çdo diskutim, çdo negociatë mes dy vendeve që ka ndodhur më parë, veçanërisht kur erdhën në Uashington me arsyetimin për normalizim të marrëdhënieve që ishte plotësisht i pakuptimtë dhe nuk kishte domethënie. Ato takime ishin vetëm për të glorifikuar Trumpin, por jo për të arritur progres mes dy vendeve. Kështu që Kurti sot është në pozitë të fortë, andaj duhet t’i demonstrojë BE-së dhe SHBA-së se Kosova ka vullnet dhe është gati, si dhe po ndërmerr hapat e nevojshëm. Kjo do të bënte presion mbi Serbinë, andaj Bashkimi Evropian do të ishte në gjendje të pranonte dhe të niste procesin e integrimit me Kosovën, pa parakushte se njohja duhet të ndodh së pari. Mendoj se duke bërë kështu, ShBA dhe BE do të ishin në gjendje ta ushtronin atë presion mbi Serbinë. Një gjë më shumë që dua të shtoj. Serbia, në parim dëshiron të anëtarësohet në BE. Presioni mbi Serbinë po vjen nga Rusia. Dhe në ditët kur kemi administratë të re këtu dhe presidenti Biden ka vullnet ta konfrontojë Rusinë, kjo duhet të çojë sinjal te Serbia se kjo nuk është si zakonisht, se ata nuk duhet ta ndjejnë presionin nga Rusia, se ShBA do të qëndrojnë pranë tyre dhe se si shtesë për këtë, BE do duhet të vazhdojë të mbajë dhe të ruajë raportet me Serbinë, por gjithmonë duke pasur parasysh qëllimin përfundimtar, që është njohje reciproke dhe çdo gjë të bëhet me parakushte”, ka shtuar ai.

Më 8 qershor, në ditën kur iu konfirmua dënimi me burgim të përjetshëm “Kasapit të Bosnjës”, Ratko Mlladiq, profesori amerikan, Ben Meir, pati një reagim në llogarinë e tij në Tëitter.

Ai kishte publikuar një fotografi të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili shihet duke e vendosur emrin e Mladiqit në pllakatën e një rruge. Sipas tij, Vuçiq duhet të kërkojë falje për këtë veprim të tij dhe të heq atë menjëherë.