Një vit më parë, Vjosa Osmani deklaroi se posedon para të gatshme 12 mijë e 401 euro në institucione financiare.

Por, një vit më vonë, presidentja Osmani në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Anti Korrupsion deklaroi se ka 39 mijë e 90 euro para të gatshme, në dy llogari të ndara bankare. Kështu, për një vit, asaj iu rritën paratë e gatshme në llogarinë bankare për 26 mijë 690 euro.

Paga vjetore të cilën e ka deklaruar Osmani në AKK, burim i së cilës është Kuvendi i Kosovës, është 33 mijë e 149 euro. Ndërsa, bashkëshorti i presidentes Osmani ka pagë më të lartë që merr nga buxheti i shtetit. Në deklarimin e pasurisë, paga e bashkëshortit të saj arrin shifrën e 36 mijë e 240 eurove.

Pasuria e paluajtshme e Osmanit e deklaruar për vitin 2021 kap shifrën e 77 mijë e 500 euro. Një banesë të papërfunduar, presidentja e Osmani e ka deklaruar në vlerë prej 40 mijë euro, një garazh të papërfunduar 2 mijë e 500 euro dhe një parcelë toke prej 5.10 ari në vlerë prej 35 mijë eurove.

Së bashku me bashkëshortin, Osmani ka deklaruar se ka borxh prej 97 mijë e 900 euro. Ndaj “Marigona Hill” 87 mijë e 900 euro dhe 10 mijë euro të tjera për parcelë në Lagjen e Gjelbër.

Pasura e paluajtshme e deklaruar se është në emër të bashkëshortit të presidentes Osmani kap shifrën e 371 mijë eurove. Kjo pasuri përfshin një banesë në vlerë prej 66 mijë eurove e blerë në vitin 2011, shtëpi e blerë në vitin 2002 në vlerë prej 120 mijë erove, një shtëpi tjetër e blerë në vitin 2004 në vlerë prej 180 mijë euro dhe një garazh në vlerë 5 mijë euro.

Në deklarimin e vitit 2021 presidentja Osmani ka sqaruar edhe disa prej pronave.

“Parcelë tokë për shtëpi në Zonën Kadastrale …, e kontratuar por nuk është ende në pronësi e as në shfrytëzim. Shuma e paguar 139,740 EUR, ndërsa detyrimet e mbetura janë listuar ne numrin rendor 2 në sektorin “TË DREJTAT DHE DETYRIMET FINANCIARE NDAJ PERSONAVE JURIDIK DHE FIZIK ” Pasuria dhe detyrimet financiare të bashkëshortit janë deklaruar përkundër faktit që janë të regjistruara vetëm në emër të tij dhe nuk konsiderohen pasuri e deklaruesit meqë e gjithë pasuria e paluajtshme e bashkëshortit e deklaruar në këtë formular është fituar para martesës me deklaruesen. Sipas nenit 46 te Ligjit per Familjen, pasuria e bashkëshortit e krijuar para martesës mbetet pronë e veçantë e tij, dhe nuk konsiderohet pronë e deklaruesit”, thuhet në fund të deklrimit të pasurisë.