Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë ka pasur një drekë pune me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Ai pas takimit ka thënë se ka arritur të sigurojë mbështetjen amerikane për t’i bërë presion Kosovës për heqjen e taksës. Por, në deklaratën e Departamentit të Shtetit bëhet me dije se amerikanët kanë potencuar se marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Disa orë pasi për takimet kanë njoftuar Pompeo dhe Vuçiq në rrjetet sociale, Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar edhe një deklaratë për media për drekën e dy zyrtarëve në Nju-Jork.

Aty thuhet se sekretari Pompeo ka vlerësuar marrëdhënien e fortë SHBA-Serbi, ndërkohë që është folur edhe për zhvillimet në rajon dhe mbështetjen që SHBA-ja ia jep Serbisë për integrim në BE.

“Sekretari Pompeo inkurajoi Serbinë që të përqendrohet në këtë synim strategjik duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rinisjen e negociatave me Kosovën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Më pas në deklaratë figuron edhe një vërejtje e amerikanëve për veprimet e të dyja palëve që po e pengojnë dialogun siç është taksa dhe aksioni i Serbisë kundër njohjes së Kosovës edhe pse pa i emërtuar.

“Sekretari përsëriti që të dy palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit dhe të angazhohen me frymën e kompromisit dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të siguruar një marrëveshje dhe për t’i zhbllokuar dy vendet”, thuhet në njoftimin që i atribuohet zëdhënëses Morgan Ortagus.