19 qytetarë nga Komuna e Podujevës janë testuar për virusin korona, 13 prej tyre kanë rezultuar pozitivë të premten, raporton Llapi.info.

Dy prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë, kurse të tjerët janë në rajonin e Podujevës. Rastet e reja janë nga fshati Llaushë, Shajkoc dhe në qytet. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

“Gjatë ditës së djeshme kemi marrë konfirmimin edhe për 13 raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Kemi dalë në terren dhe i kemi marrë adresat. Dy janë me vendbanim në Prishtinë, kurse të tjerat janë në Shajkoc, pesë raste janë nga fshati Llaushë në një familje. Një rast në Llapashticë dhe Majac, por këto dy rastet e fundit janë me vendbanim në Prishtinë, ndërsa rastet tjera janë në Podujevë (qytet). Raste aktive tani gjithsej i kemi 40. Tetë pacientë i kemi në Prishtinë për trajtim mjekësor, gjegjësisht në Klinikën Infektive dhe Pulmologji. Sot pritet t’iu dalin rezultatet 10 mostrave të testuara të enjten më 9 korrik. Pritet të rritet numri i rasteve në Podujevë”, ka thënë ajo.

Epidemiologia dhe anëtarja e shtabit emergjent ka apeluar tek qytetarët që t’i bartin maskat dhe t’i zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse kundër pandemisë COVID-19.

“Duhet kujdesur shumë, por vizitat familjare po ndikojnë shumë në rritjen e numrit të rasteve, për arsye se nëpër lokale dhe nëpër puna po janë me maska, kurse në vizitat familjare janë pa masa mbrojtëse, gjë që po ndikon në rritjen e rasteve”, ka thënë Rama.

Deri më tani në Podujevë janë konfirmuar 78 raste me COVID-19, derisa rasti i parë ishte paraqitur më 15 mars. Të premten u konfirmuan 13 raste, bilanc ky më i madh brenda një dite në këtë komunë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se të premten janë regjistruar edhe 205 raste të reja me koronavirus pas testimit të 388 mostrave.

Në bazë të njoftimit të IKSHPK-së, në 24-orëshin e fundit tre pacientë kanë humbur jetën. Numri i viktimave tashmë ka arritur në 97.

Bazuar në të dhënat e fundit, që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë konfirmuar gjithsej 4.512 raste pozitive. Prej tyre, 2,259 mbesin raste aktive.

Duhet theksuar se Qeveria Hoti ka paralajmëruar marrjen e masave të rrepta kundër përhapjes së koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme shkaku i COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur pas një takimi virtual me krerët e komunave të Kosovës.

“I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka shkruar Hoti në Facebook./Llapi.info