Në Podujevë janë konfirmuar edhe 12 raste të reja me COVID-19, duke bërë kështu që numri i personave aktivë me këtë virus të arrijë në 168 – njëherësh shifra më e lartë deri më tani në këtë komunë, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, 4 raste janë nga qyteti, dy në fshatin Shakovicë dhe me nga një rast në fshatrat; Dumnicë e Epërme, Gllamnik, Halabak, Sfeçël, Shajkoc dhe Zakutë.

IKSHPK-ja nuk ka bërë të ditur sot për ndonjë pacient të shëruar nga kjo anë, ndërkohë që deri më tani 171 llapjanë e kanë mposhtur COVID-in.

Bazuar në të dhënat e fundit, numri i personave aktivë me këtë virus në Podujevë është 168, gjersa janë raportuar nëntë raste me fatalitet.

Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars. Që nga atëherë, rreth 350 qytetarë kanë rezultuar pozitivë për virusin korona, nga rreth 1 mijë testime. Për shkak të numri të madh të të infektuarve, që nga data 28 korrik, është rikthyer ora policore në Podujevë.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë, Zaim Thaçi, lirimi i masave në fillim të qershorit ka ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Podujevë.

Ndërkaq, Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur ditë më parë, ka paralajmëruar masa më rigoroze ndaj atyre që s’i respektojnë masat anti-covid. Deri më tani, Policia ka shqiptuar rreth 560 fletëparaqitje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 196 raste të reja të të infektuarve, pas testimit të 475 mostrave.

Sipas IKSHPK-së, gjatë 24-orëve të fundit janë shënuar edhe 16 viktima, duke çuar në total numrin e të vdekurve në 300.

Që nga muaji mars, kur edhe janë paraqitur rastet e para, në Kosovë janë infektuar 9.688 persona, prej tyre 5.480 janë shëruar, ndërkaq raste aktive janë 3.908./Llapi.info