17 raste të reja me virusin korona janë konfirmuar të dielën në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 7 raste janë në qytet, 3 në Dumnicë të Epërme, 2 në Dumnicë të Poshtme dhe me nga një rast në fshatrat; Balloc, Letanc, Dumosh, Llugë dhe Sfeçël.

Në këto ditë, numri i të infektuarve me këtë virus është rritur në Podujevë. Përkundër që ditë më parë rastet aktive ranë në mbi 20, tashmë numri i personave aktivë ka shkuar në 47. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Bedrie Rama.

“Sot janë konfirmuar 17 raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Deri më tani janë shpallur të shëruar 589 pacientë, kurse aktualisht aktivë me këtë virus janë edhe 47 qytetarë llapjanë”, ka thënë Rama.

Epidemiologia dhe Koordinatorja e Shtabit Emergjent ka thënë se në pritje të rezultateve janë edhe 20 persona.

Ajo ka shtuar se gjendja nëpër shkolla vazhdon të jetë normale, ndërkohë që së fundi gjashtë mësimdhënës janë testuar për COVID-19 dhe të njëjtit kanë rezultuar negativë.

Rasti i parë në këtë komunë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë. Deri më tani janë raportuar 20 viktima. Që nga fillimi i pandemisë janë testuar rreth 2700 persona nga Podujeva

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se në 24 orët e fundit ka regjistruar 137 raste të reja pozitive me koronavirus, pas testimit të 869 mostrave.

Bazuar në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 16.891. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 1.572./Llapi.info