Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vite burgim me kusht, rojën e pyllit në zonën e Orllanit-Podujevë, Nexhmi Selmani, i akuzuar për keqpërdorim detyre.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Allten Murseli, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda periudhës prej tre vite nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpos dënimit me kusht, i akuzuari Selmani është ngarkuar edhe me shpenzime të procedurës prej 50 euro, ndërsa pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Fillimisht në seancën e së hënës, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Arian Gashi, i akuzuari Selami u deklarua fajtor për keqpërdorim detyre.

“Pranoj fajësinë, e vërtetë që ato i kam vulos në oborrin e pronarit të Qamil Zekes, m’kanë pre në besë së nuk i kam ngjoftë, jam penduar, kërkoj nga ju një dënim sa më të butë, pranimin e fajësisë e kam bërë me vullnetin tim të plotë”, ka deklaruar Selmani.

Mbrojtësi i tij, avokati Mehdi Dehari ka deklaruar se i mbrojturi i tij pranimin e fajësisë e ka bërë me vetëdije të plotë, duke i kuptuar pasoja e pranimit të fajit si dhe natyrën e veprës penale.

I njëjti, përpos që ka kërkuar nga gjykata që me rastin e matjes së dënimit të ketë parasysh rrethanat lehtësuese, ka kërkuar që klientit të tij t’i ndërpritet edhe masa e arrestit shtëpiak, pasi sipas tij kishin pushuar shkaqet në bazë të të cilave ishte caktuar dhe vazhduar kjo masë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Selmani nuk e ka kundërshtuar as prokurori Arian Gashi, i cili është pajtuar edhe me ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak.

Sipas prokurorit, pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Selamani është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe në mbështetje në provat që gjendet në shkresat e lëndës.

Sipas aktakuzës së ngritur me 25 gusht 2020, i akuzuari Nexhmi Selmani, në cilësinë e rojës së pyllit, me 16 korrik 2020, në zonën e Orllanit-Podujevë, tek fshatrat kufitare Metergovc-Sekiraqë, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se me çekanin zyrtar me të cilin kishte qenë i ngarkuar vetëm ai, kishte mundësuar vulosjen e një sasie drunore teknike prej 8m + 6m, pa i futur fare të ndarë në dy kamion të llojit “bung” dhe “qarr”, dhe pa e ditur fare prejardhjen e tyre se ku ishin prerë.

Sipas aktakuzës, në dy fletë përcjellëset të Agjencisë Pyjore të Kosovës, të lëshuara nga ai në emër të këtyre drunjtëve, kishte evidentuar sasi të masës drunore prej 4m+4m vetëm të llojit “Ah”, të cilat drunjë të ndara në dy pjesë nga 4 m në dy kamion, njëri me transportues Safet Musa dhe tjetri Halil Zeka, pasi ishin gjetur se ishin manipuluar ishin konfiskuar nga policia.

Për këto veprime, Selmani ngarkohet me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.