Foto: Llapi.info

Komuna e Podujevës ka hapur konkurs për pranimin e 33 drejtorëve dhe katër zëvendësdrejtorëve në shkollat fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, raporton Llapi.info.

Për këtë konkurs, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë propozoi ngritjen e Komisionit për zhvillimin e procedurave për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet edukativo-arsimore.

Në lidhje me këtë pikë është debatuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal. Opozita e lëshoi mbledhjen, pasi ata pretendonin se përzgjedhja e komisionit s’është bërë siç duhet. Ata konstatuan se përfaqësuesja e këshillit të prindërve, Luljeta Shala, nuk është propozuar nga ky këshill për anëtare në këtë komision, madje as që është mbajtur ndonjë mbledhje për këtë temë në këtë këshill.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, e lëshoi sallën, ani pse vetë ai ka kërkuar që të futet në rend dite kjo pikë. Në vend të tij, propozimin për votim në asamble komunale e bëri drejtori i Shëndetësisë, Zaim Thaçi. Ai tha se ky komision përbëhet nga Selman Gashi, zyrtar për çështje pedagogjike në Drejtorinë̈ e Arsimit (kryesues), Luljeta Shala, përfaqësuese e Këshillit të Prindërve (anëtare) dhe përfaqësuesi i MASHT-it, i cili caktohet nga kjo ministri.

Por, opozitarët s’u pajtuan tek përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve, Luljeta Shala. Sipas tyre, zgjedhja e saj s’është bërë nga ky këshill. Madje, siç kanë thënë ata s’është mbajtur ndonjë mbledhje për t’u zgjedhur përfaqësuesi.

“PDK s’e mbështet këtë komision. Përfaqësuesi i këshillit të prindërve, duhet të sillet proces-verbali i këshillit nga mbledhja. Nëse bëhet zgjedhja aty për aty është e papranueshme, në raste është edhe joligjor. Në memorandumin të nënshkruar edhe nga ish-kryetar i Podujevës (Agim Veliu), çdo komision duhet të marr pjesë edhe përfaqësuesi i OJQ-ve për transparencë. Këshilli i Prindërve të mbajë mbledhjen dhe ta zgjedh përfaqësuesin e vetë. Kjo Luljeta Shala s’është e propozuar nga këshilli i prindërve, pasi që as që është mbajtur mbledhja”, ka thënë këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica.

Kurse, Bajram Ajeti nga Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si arbitrare vendosjen në komision të anëtares Shala, pa pasur mbledhje të këshillit.

“Këtu kemi të bëjmë me rekrutimin e vendeve të punës në një fushë të rëndësishme. Se si ka shkuar deri më tani e dimë. Se si është bërë rekrutimi i tyre dhe çfarë vlerash janë zgjedhur edhe këtë e dimë. Tani nga udhëzimi administrativ është përcaktuar se këto komisione duhet të kalojnë përmes asambleve. Mirëpo, mënyrë se si është sjellë kjo me këta emra në mënyrë arbitrare (siç është tek Luljeta Shala), të jetë në emër dhe prindërve, por të mos kemi një dëshmi se vërtetë këshilli i prindërve e ka propozuar atë, mendoj që është e parregullt. Ne si opozitë kërkojmë të zgjidhet sipas meritave, andaj pasi që s’janë plotësuar kushtet ne VV do ta lëshojmë mbledhjen”, ka thënë Ajeti.

Përkundër që këshilltarët opozitarë lëshuan mbledhjen, partia që udhëheq me Podujevën (LDK) votoi duke bërë që ky komision dhe kjo pikë të miratohet./Llapi.info