Lëvizja Vetëvendosje, pas aderimeve të fundit, ka arritur t’i zë 11 mandate në asamblenë komunale të Podujevës, shkruan Llapi.info.
Së fundi në këtë parti ka aderuar asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Patriot Rudari.
Kështu ka bërë të ditur në një komunikatë për medie dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.
“Sot i mirëpritëm në Lëvizje këshilltarin në kuvendin komunal, Patriot Rudari, si dhe dy anëtarët e kryesisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Skender Asllani dhe Hamdi Hasani. Ata u pritën nga kryetari Qendrës, Bajram Ajeti, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Administratës, Bahri Selimi. Lëvizja është shpresa e qytetarëve, dëshmia për mirëqeverisje do të jetë për të dy nivelet si në qendror ashtu edhe nivelin lokal, andaj anembanë po bashkohen profile të ndryshme për të dhënë kontributin e tyre për ndryshimin e madh që i duhet vendit. Lëvizja është shtëpia e madhe e qytetarëve të ndershëm dhe punëtorë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet komunale të vitti 2017 kishte arritur t’i fitojë nëntë mandate për këshilltarë komunalë.
Por, më vonë kishte mbetur me 8, pasi Blerim Maçastena kishte kaluar në PSD pas largimit nga LVV-së të disa zyrtarëve. Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës, ku fituese doli Vetëvendosje dhe pas zgjedhjes së ish-këshilltarit të LDK-së, Avni Fetahu drejtor për Arsim, këshilltari i LDK-së, Bahri Blakçori që kishte hyrë në vend të Fetahut ka aderuar në LVV, duke e rritur në 9 numrin e këshilltarëve komunalë të kësaj partie.
Ndërsa, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, Grupit të LVV-së i është bashkuar edhe këshilltari i PD-së, Benjamin Ejupi. E pas aderimit të Patriot Rudarit në Vetëvendosje, kjo parti ka në grupin e saj 11 këshilltarë komunalë. Po aq i ka edhe LDK-ja që ishte subjekti më i madh i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017.
Por, kjo parti kishte marrë gjithnjë edhe votat e këshilltarit të OBKD-së, Avni Islami, me të cilin kishin koalicion dhe dy këshilltareve që ishin përjashtuar nga PDK e AAK (Donjeta Jakupi e Tringa Sfishta)./Llapi.info