Komunarët e Podujevës janë akuzuar për keqpërdorim të parasë publike. Me këto akuza ata janë përballur në seancën e mbajtur në Kuvendin e Podujevës, në pikën kur po diskutohej raporti financiar janar-mars, raporton Llapi.info.

Përpara asamblesë komunale, raportin financiar janar-mars 2020 e ka prezantuar drejtori për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i cili tha se buxheti i shpenzuar për këta muaj është mbi 3.4 milionë euro.

“Shpenzimet e buxhetit për periudhën janar-mars, kanë arritur në shumën 3,427, 592 euro. Për paga dhe mëditje janë shpenzuar 2,935, 137 euro, për mallra dhe shërbime 314,534 euro, për shpenzime komunale janë shpenzuar 84,002 euro, subvencione dhe transfere janë shpenzuar 62, 590 euro si dhe për investime kapitale janë shpenzuar 31, 329 euro”, ka thënë Latifi.

Këtë raport e ka përkrahur vetëm partia në pushtet, ajo e LDK-së, e cila është në koalicion edhe me AAK-në.

E, në anën tjetër partitë opozitare e kanë kundërshtuar këtë raport, pasi që sipas këshilltarëve opozitarë, buxheti s’po planifikohet siç duhet. Këshilltarja e VV-së, Doruntinë Hasani ka thënë se Komunës së Podujevës vit pas viti i tepron buxheti.

“Qe tre vite vazhdimisht kemi të njëjtin raport, i cili nga transparenca dhe qartësia aspak llogaridhënës ndaj qytetarëve. Ne jemi të gjithë dëshmitarë te teprimi i buxhetit vit pas viti. Vetëm te vendimet gjyqësore janë shpenzuar 73 mijë e 942 euro e 95 centë, krahasuar me vitin e kaluar që ishte 1 mijë e 869 euro. Ky lloj i shpenzimeve tregon jo-efikasitetin e komunës në punë e diçka prapa saj po fshihet, e çka po fshihet e dini ju më së miri”, ka thënë Hasani.

Avni Fetahu i VV-së ka thënë se zyrtarët komunalë në Podujevë i largojnë operatorët ekonomikë më të lirë nëpër tenderë.

 “Ky raport tremujor s’i përmbush kriteret, s’ka detaje për mënyrën e shpenzimit të parasë publike, duke e ditur se paraja publike është nën përkujdesje dhe mbahet në mirëbesim. Në çfarë mirëbesimi bëhet kjo në Podujevë? Jemi dëshmitarë të gjithë se si menaxheri i prokurimit shndërrohet në një tuxhar tenderësh, duke i eliminuar operatorët ekonomikë dhe duke i shkaktuar buxhetit humbje, duke ndërhyrë në mënyrë totale operatorit ekonomik. Mua m’i keni dërgua edhe njerëzit dhe po ju tregoj këtë se frikën s’ua kam askujt dhe s’kam asgjë personale me askënd. Kështu që buxheti po dëmtohet para syve tanë”, ka thënë Fetahu.

Sipas Fetahut, buxheti i Komunës së Podujevës është dëmtuar për më shumë se 41 mijë euro kundërligjshëm, pasi që siç ka thënë ai, kompanisë për ndërtimin e shkollave i është dhënë punë shtesë.

“Këta janë në gjendje edhe nëpër shkolla me kamufllu paranë publike. Bëhet fjalë për shkollën “Dituria” në Llapashticë të Poshtme dhe në shkollën “Elfir Behrami”. Këta njëherë i eliminojnë operatorët që janë të përgjegjshëm. Ju kanë dhënë punë shtesë një operatori “Prishtina SH.P.K”. Kësaj kompanie, në fund të vitit, i jepet punë shtesë 10 për qind të vlerës së kontratës që e kap shumën e 41 mijë e 113 euro e 32 centë. Pse i jepet punë shtesë kësaj kompanie, kur ekziston projekti zbatues? Përveç kësaj, kemi informata të sakta se kompania përfituese “Prishtina SHPK”, është shpallur fituese pa i plotësuar kushtet, ku brenda një pozicioni të një projekti s’e ka vu çmimin final, ku bëhet fjalë për suvatim. I japin punë shtesë kësaj kompanie mbi 41 mijë euro pa pasur të drejtë. Dhe, në një far forme, i eliminon kompanitë që janë serioze dhe i shtinë kompanitë që janë joserioze, duke dëmtuar buxhetin dhe ekonominë e vendit dhe çka është më e keqja, ua gërditin bizneseve me aplikua në projekte të rëndësishme”, ka thënë ai.

“Këto janë vetëm disa prej tyre dhe të tjerat do të dërgohen aty ku duhet (Prokurori), se na e dimë se atë menaxherin e prokurimit, atë tuxharin e tenderëve ju me shkarku s’mundeni se atë e ka lanë ai ishi (Agim Veliu) se i vyen ashtu”, ka thënë tutje Fetahu.

Kurse, Rafet Llapashtica i PDK-së ka kërkuar sqarime për shpenzimit e parasë publike nëpër disa sektorë, sipas të cilit, në shumë prej tyre ka pasur shpenzime marramendëse.

“Rreth pesë mijë euro për servisim të automjeteve është shumë marramendëse, duke parë që stafi në këtë periudhë kohore ka qenë i reduktuar. Duhet me e bë të ditur se ku bëhet servisimi i automjeteve? Cilave automjete u bëhet ky servisim dhe për sa automjete? 995 euro qira për makineri, çka është kjo? 3 mijë euro dreka zyrtare në kohë pandemie t’u e ditë se lokalet kanë qenë krejt të mbyllura. Ku janë ngrënë këto dreka se lokalet kanë qenë mbyllur? Ku janë ngrënë dhe kush i ka ngrënë?”, ka pyetur Llapashtica.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi ka arsyetuar shpenzimin e parasë publike në tre mujorin e parë të këtij viti.

“Shpenzimi i pagave dhe planifikimi bëhet në të gjitha institucionet, secili ka një koeficient. U përmend servisimi i automjeteve, automjeteve u bëhet servisimi tek “Luli” në Gllmnik, i cili servison të gjitha automjetet komunale, të QKMF-së dhe Emergjencës. Për qiratë në makineri, pas aksidentit ish-kryetari Agim Veliu e ka marrë një automjet për shfrytëzim. 3 mijë euro dreka zyrtare nga 15 marsi janë mbyllur lokalet e dimë, por disa të rinj dhe zyrtarë gjermanë kanë vizituar Podujevën edhe është dashur të priten”, u është përgjigjur pyetjeve Latifi.

Në një replikë, këshilltarja Doruntinë Hasani ka thënë se sërish do të ketë tepricë të buxhetit për rreth 2 milionë euro./Llapi.info