Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për “vjedhje të rëndë”, F.Ç.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e ka përpiluar prokurorja Ajshe Ferati dhe përfaqësuar prokurori Ali Ajdini.

“Ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327 par.1 pika 1.1 të KPRK-së, gjë që vërtetohet nga kallëzimi penal i parashtruar  dhe nga deklaratat e të dëmtuarit, si dhe nga vet i dyshuari që ka pranuar se bashkë me të miturin S.G, e kanë thyer lokalin në fjalë dhe nga aty kanë marrë telefona të ndryshëm”, thotë mes tjerash kërkesa për caktimin e paraburgimit e përfaqësuar nga prokurori Ajdini.

Sipas prokurorit në fjalë, masa e vetme për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe zbatimin e suksesshëm të kësaj procedure është paraburgimi, pasi sipas tij masat tjera janë të pamjaftueshme dhe jo adekuate.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dyshuarit F.Q, sipas detyrës zyrtare, avokati Rexhep Fusha, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i caktohet një masë alternative konform dispozitave të KPPRK-së.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari në fjalë, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Gazmend Bahtiri, ka caktuar për të dyshuarin masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 17.01.2021 dhe do të zgjasë deri më 17.02.2021.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të datës 18.01.2021, F.Ç., dyshohet se me datën 17.01.2021, rreth orës 04:20, në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake për të vjedhur e në bashkëkryerje me të miturit S.G., me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete apo personin tjetër nga lokali “Mobi Shop Besi”, i cili gjendet në rrugën “Zahir Pajaziti”, pronë e të dëmtuarit B. B. ka marrë disa telefona të llojeve të ndryshme, në atë mënyrë që i pandehuri F.Ç., me përdorimin e forcës si dhe me mjet të fortë (me një tullë) ka thyer xhamin e derës hyrëse të lokalit në fjalë, ka depërtuar në brendi të lokalit dhe nga ai lokal ka marrë 12 telefona, një të tipit “Iphone pro max” ngjyrë hiri me vlerë prej 650 euro, një të tipit “Iphone 8+”, ngjyrë të zezë, me vlerë prej 300 euro dhe 10 telefona mobil të tipit “Samsung” dhe një “Iphone” në vlerë prej 1000 euro dhe pas marrjes së këtyre telefonave është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, me ç’rast të dëmtuarit B. B., i është shkaktuar dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Për këtë, ai dyshohet për veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 315 par.1 pika 1.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.