Përfaqësuesit e shoqërisë civile janë përplasur me truprojat e selisë së PDK-së gjatë marshit të sotëm.

Ata kanë tentuar që para selisë t’i vendosin pankartat e tyre por punonjësit ushtruan dhunë ndaj tyre, njofton Klan Kosova.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, e ka quajtur turp për PDK-në këtë incident.

Ai kërkoi nga kryetari i këtij subjekti politik, Kadri Veseli, përgjegjësi për dhunën e sigurimit të kësaj partie ndaj pjesëmarrësve.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë shkuar në selinë e secilës parti në kuadër të “Marshi i refuzimit”.

Në Vetëvendosje ata janë pritur me duartrokitje, por në partitë e tjera nuk u lejuan të hyjnë.

“Marshi i refuzimit” ka filluar në sheshin “Skënderbeu” dhe i njëjti që nga ora 10:00 ka vazhduar në selitë e disa partive politike në Kosovë.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fushatës së 100 organizatave të shoqërisë civile, për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Ata u larguan nga dyert e PDK-së dhe më pas në vendin e ngjarjes ka dalë edhe policia. Disa prej aktivistëve kanë shkuar në stacion për të dhënë deklaratat e tyre rreth këtij incidenti.