Lumenjtë si Drini, Sitnica, Morava e Binçes e lumenj të tjerë në Kosovë mund t’i përmbytin vendbanime të tëra kur dalin nga shtrati. Por, për të evituar dëme të mëdha në të ardhmen, hidrologu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Bashkim Kastrati, thotë se urgjentisht duhet të rregullohen dhe mbrohen shtretërit e lumenjve.

Kastrati thekson se shtretërit e lumenjve nuk janë në gjendje të mirë fizike, gjë e cila, sipas tij, po shkakton vërshime të mëdha dhe po krijohen dëme te vendbanimet përreth lumenjve.

Vërshimet që ndodhën së fundmi në Kosovë, thotë Kastrati, duhet të jenë një alarm për autoritetet që të merren masa për parandalimin e fatkeqësive të tilla.

“Kemi pasur një situatë të rënduar fillimisht metorologjike me reshje të rënda dhe pastaj kemi pasur një situatë të rëndë hidrologjike të shkaktuar prej vërshimeve që kanë ndodhur në disa zona të Kosovës”.

“Për të reduktuar pasojat e këtyre përmbytjeve, institucionet në mënyrë të rregullt dhe të mirëfilltë duhet të bëjnë mirëmbajtjen e lumenjve. Kjo nuk është e lehtë, por të gjitha institucionet duhet të përgatisin plane afatmesme dhe afatgjate duke u bazuar edhe në të kaluarën dhe të bëhen investime strategjike”, vlerëson Kastrati.

Sipas Kastratit, fatkeqësia më e madhe është që edhe aty ku ka pasur ndërhyrje apo mirëmbajtje nëpër segmente të caktuara lumore, në disa raste është bërë në mënyrë të gabuar apo jo të drejtë.

“Në disa pjesë të lumenjve, institucionet lokale, komunat kanë ndërhyrë në mënyrë joprofesionale dhe kanë shkaktuar erozion edhe shembje të brigjeve të lumenjve. Janë bërë prerjet e drunjve te brigjet e lumenjve dhe ajo është e paarsyeshme. Mirëmbajtja nënkupton ndërhyrjet teknike nëpër pozicione apo profile të caktuara lumore ku është e nevojshme”, shpjegon Kastrati.

Më i atakuari në vërshimet e fundit që ndodhën në Kosovë, sipas Institutit Hidrometeorologjik, ishte sistemi lumor i Drinit të Bardhë, ku nivelet e ujit arritën kuotat maksimale.

Nga reshjet e fundit atmosferike doli nga shtrati edhe lumi Sitnica, i cili shkaktoi vërshime të mëdha në rajonin e Vushtrrisë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se për të parandaluar një situatë të tillë të vërshimeve, në të ardhmen duhet të intervenohet urgjentisht në rregullimin e argjinaturave të lumit Sitinca.

“Është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të marrë vendim për të sanuar komplet argjinaturat e lumit Sitnica, pasi që nga vitet ‘80 kur janë ndërtuar, më nuk është investuar nga Ministria e Ambientit, e cila e ka përgjegjësi ligjore mirëmbajtjen e lumenjve dhe argjinaturave të lumenjve”, thotë Tahiri.

Ai shton se do të bëjnë një Komision të veçantë të komunës për të vlerësuar argjinaturat e lumit Sitnica, si dhe do të bëjnë një kërkesë që të ndahen mjete për ndërhyrje në argjinaturat e lumit Sitinca që në të ardhmen të mos ketë vërshime të kësaj natyre.

“Në 20 vjet pas luftës nuk është investuar në argjinatura, ne si komunë, çdo vit investojmë 20 deri në 30 mijë euro nga buxheti i komunës, kaq kemi mundësi për riparime të vogla, por ai është një projekt kapital dhe komuna nuk ka kapacitet as financiar dhe as resurse njerëzore për ta kryer këtë projekt, është përgjegjësi ligjore e Ministrisë së Ambientit, mirëmbajtja e lumenjve”, thotë Tahiri.

Në një raport të vitit 2018 i fundit i publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Ambientit, ishte rekomanduar që të realizohen studime në detaje për ngritjen e objekteve inxhinierike (argjinaturave) në vendet e identifikuara për mbrojtje nga erozioni dhe vërshimet.

Tafë Veselaj, udhëheqës i sektorit për monitorim dhe vlerësim të mjedisit në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, thotë se forma e degradimit të lumenjve ka ndikuar dhe do të ndikojë edhe në daljen e tyre nga shtretërit dhe pastaj vërshimet janë evidente.

“Sipas studimit dhe vlerësimit që është bërë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, janë të degraduar mbi 1,400 ha sipërfaqe të shtretërve të lumenjve në tërë Kosovën”, thotë Veselaj.

Eksploatimi i zhavorrit dhe degradimi pa kritere i operatorëve ilegalë dhe legalë, shton Veselaj, ka bërë që gjendja e lumenjve të jetë jo e mirë që në aspektin fizik.

Qeveria e Kosovës, shton Veselaj, pjesën më të madhe të investimeve në mjedis e ka orientuar përmes buxhetit për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Por, gjithashtu, edhe komunat dhe institucionet tjera, një pjesë të buxhetit e orientojnë në projekte mjedisore.

“Investimet kapitale në mjedis në vitin 2019, ishin në rreth 50 milionë euro. Investimet në rregullimin e shtretërve bëhen për çdo vit veçanërisht afër vendbanimeve në bazë të projekteve dhe kërkesave nga komunat, por problematike mbeten akoma pjesët e degraduara”, thotë Veselaj.

Vërshimet shkaktuan dëme të mëdha tek ekonomitë familjare, bizneset, në bujqësi dhe në infrastrukturë.

Komunat e Kosovës që u prekën nga vërshimet krijuan komisionet për evidentimin e dëmeve. Deri më tani ende nuk dihet për vlerën e saktë të dëmeve.

Për dëmet e shkaktuara, Qeveria në detyrë e Kosovës përmes një Fondi Emergjent ka ndarë 1 milion euro për kompensim.