Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se ajo që ndodhi të mërkurën, me arrestimin e disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie nën dyshimin për mashtrim e ryshfet, është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë.

Peci, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se ministrisë, e cila është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale, do t’i rikthehet reputacioni, besimi dhe imazhi.

“Kjo që ndodhi sot është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi që këtë Ministri që është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale t`ia rikthejmë reputacionin, besimin dhe imazhin që meriton, në mënyrë që ta vejmë ekskluzivisht në dobi të bujqve e fermerëve. Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit. Duke ndarë subvencione për fermerë e bujq, pa ndërmjetësues e pa keqpërdorues do të mund ta sigurojmë një ambient dhe klimë të favorshme për këtë kategori jetike për shtetin”, ka shkruar ai.