Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë që u mbajt sot për 23 vjetorin e Masakrës së Reçakut në Shtime, tha se kjo masakër ishte pasqyrim i qëllimit shfarosës të regjimit të Millosheviqit, i cili këtë gjenocid e kryente në sy të të gjithë botës.

“Regjimi i Millosheviqit, kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve dhe e bënte në sy të të gjithë botës”, ka thënë Osmani gjatë ceremonisë përkujtimore.

Osmani tha Reçaku është njëra ndër masakrat më të tmerrshme ku ka ndodhur krimi dhe sipas Osmanit propaganda nuk mund t’i fshehë faktet historike që ndodhën në sy të botës.

“Propaganda asnjëherë nuk mund t’i fshehë faktet historike që kanë ndodhur në sy të gjithë botës… Historia e dokumentuar nuk mund të ndryshohet, ndaj një krimi të tillë propaganduesit duhet të ndiejnë keqardhje dhe të dënohen”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se Reçaku është fillimi i fundit të regjimit serb në Kosovë, pasi kjo masakër bëri që të ndërhyjë NATO-ja.

“Kjo masakër shënoi kthesën më të madhe… Pamjet nga Reçaku prekën jo vetëm njerëzit e zakonshëm por edhe diplomatët, ku dy muaj më vonë NATO-ja dëboi regjimin serb nga Kosova”, ka shtuar ajo.

“Secili prej këtyre varreve ka histori tmerri, të gjitha bashkë përbëjnë dëshmi të pakontestuar dhe të dokumentuar”.

Osmani tha se nuk do të lejojnë që të vërteten ta mbulojë pluhuri i historisë.

“Duke i përkujtuar çdo vit viktimat e Reçakut dhe të tjerat, ne e kujtojmë dhe ri themi të vërtetën”, tha presidentja.

“Reçaku është dhimbja jonë e përhershme, ky vend paraqet fillimin e fundit të regjimit serb për shfarosje… Ky është vendi ku filloi të marrë formë liria jonë”, vazhdoi ajo.

Ajo tha se familjarët e viktimave nuk kërkojnë hakmarrje por vetëm drejtësi.

“Nga asnjëri prej familjarëve të viktimave nuk dëgjoni kërkesë për hakmarrje po vetëm për drejtësi”, përfundoi Osmani./Klankosova.tv