Presidentja Vjosa Osmani, iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë me urgjencë rastin e helmimit të rreth 900 qytetarëve në Deçan, të cilët dyshohen se u helmuan nga uji.

Osmani, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka njoftuar se ka kontaktuar Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosajn, për masat që janë ndërmarrë lidhur me rastin.

“Pres nga të gjitha institucionet angazhim të mëtejmë e të plotë në ofrimin e trajtimit adekuat shëndetësor për qytetarët e helmuar, si dhe zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në helmimin e qytetarëve. Një hetim nga organet e drejtësisë është i domosdoshëm dhe duhet të trajtohet me urgjencë”, ka shkruar ajo.

Presidentja iu ka uruar shërim të shpejtë qytetarëve të cilët kanë marrë trajtim pas helmimit.

Ndërsa, në lidhje me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka thirrur konferencë për media në orën 19:00.

Sipas ministrisë, tema e konferencës do të jetë “informimi për çështjen e rasteve të dyshimit të helmimit në ujë për qytetarët e Komunës së Deçanit”.