Me rastin e shënimit të 24 majit-Ditës së Presidentit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ish-Presidentët Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga kanë bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, raporton Ekonomia Online.

Osmani me këtë rast tha se Rugova ishte arkitekt i shtetit të Kosovës dhe se ndikoi në bashkimin e mbarë popullit.

Sipas saj, zgjedhjet e para presidenciale të 24 majit të vitit 1992, shënuan themelimin e institucioneve të para të Kosovës dhe ishin mesazh i qartë i qëllimeve të popullit për liri dhe pavarësi.

“E filluam ditën duke e nderuar arkitektin e shtetit  tonë, njeriun që  e bëri bashkë popullin e Kosovës”.

“Tri dekada më herët që qytetarët treguan se cili ishte qëllimi i tyre për shtet të pavarur, ishin zgjedhjet e para që u themeluan institucionet e para”.

Përderisa ish-presidenti Fatmir Sejdiu tha se Rugova ishte ikonë e pamposhtur e të gjitha kohëve.

“Rugova është ikonë e pamposhtur e të gjitha kohëve, edhe kjo ditë tregon mundin se si Kosova ka ndërtuar institucionet e veta”.

Ish-presidentja Jahjaga tha se secili nga presidentët që ka udhëhequr me Kosovën ka kontribuar në interes të proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi.

Sipas saj, Rugova e udhëhoqi vendin në periudhën më të rëndë, kur edhe rrezikohej shfarosja e popullit, raporton EO.

“Secili nga presidentët ka udhëhequr me Kosovën duke u angazhuar në proceset e shtet-ndërtimit në përmënimin e jetës së qytetarëve. Secili ka kontribuar në interes të proceseve që ka kaluar vendi”.

“24 maji është datë e veçantë se po kujtojmë një figurë të rëndësime. Presidenti Rugova e udhëhoqi Kosovën në periudhën ë të rëndë, kur rrezikohej edhe shfarosja”.

Edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli tha se presidentin historik Ibrahim Rugova dha kontribut të madh për Kosovë.