Ambasadori i Italisë në Kosovë Nicola Orlando duke cituar kryeministrin italian, Giuseppe Conte është shprehur se presin që shumë shpejt të bëhet liberalizimi i vizave për kosovarët.

Këtë koment ai e bëri në Twitter ku ka falënderuar Kroacinë për udhëheqjen gjashtëmujore të Presidencës së Bashkimit Evropian dhe ka uruar Gjermaninë, e cila merr kryesimin e radhës.

Po ashtu, Orlando tha se shpreson që vendet anëtare të BE-së hezituese do të lejojnë që një gjë e tillë të ndodhë gjatë kryesimit të Presidencës nga ana e Gjermanisë.

Postimi i plotë në Twitter:

Faleminderit #Kroacisë për semestrin e shkëlqyer dhe fat të mbarë #Gjermanisë në kryesimin e saj të #BE-së!

Siç tha kryeministri @GiuseppeConteIT në Zagreb: së shpejti presim #liberalizimin e vizave për #Kosovën. Shpresoj që të gjitha vendet anëtare të BE-së hezituese të lejojnë që liberalizimi i vizave të ndodhë gjatë semestrit gjerman. Është koha!