Në Komunën e Podujevës janë regjistruar të dielën edhe 20 raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.
Siç thuhet në njoftimin e IKSHPK-së, 7 raste janë në qytet dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Bradash, Dobërdol, Gërdoc, Llapashticë e Poshtme, Llapashticë e Epërme, Llugë, Lupç i Epërm, Lupç i Poshtëm, Revuçë, Sekiraçë, Shakovicë dhe Velikorekë-Katunishtë.
Bazuar në të dhënat e fundit, numri i personave aktivë me këtë virus në Podujevë është 183 – njëherësh shifra më e lartë në këtë komunë.
Deri më tani në Podujevë pozitivë kanë rezultuar rreth 400 persona, kurse janë testuar mbi 1 mijë qytetarë. Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars. Deri më tani janë raportuar nëntë raste me fatalitet, kurse janë shpallur të shëruar 205 pacientë llapjanë.
Për shkak të mos respektimit të masave nga qytetarët, rreth 600 fletëparaqitje ka shqiptuar Policia e Podujevës. Ndërkaq, Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur ditë më parë, ka paralajmëruar masa më rigoroze ndaj atyre që s’i respektojnë masat anti-covid.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar të mekurën 188 raste të reja të prekura me koronavirusin e ri, pas marrjes së 462 mostrave. IKSHPK-ja ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit kanë vdekur 12 pacientë me COVID-19, duke bërë kështu që numri i viktimave të arrijë në 327.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, e deri më tash, janë regjistruar 10.247 raste pozitive, gjersa raste aktive mbesin edhe 3.976./Llapi.info