Lindon Kqira, konsull në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se nuk e njeh dhe as nuk do e përfill vendimin e u.d e presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e tij.

Kqira në një deklaratë publike ka thënë se ky vendim është antikushtetues dhe sipas tij Osmani do duhej të merrej me punën e Kuvendit të Kosovës.

“Neglizhenca e situatës me pandeminë globale, kriza ekonomike, aprovimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe një varg ligjesh tjera jetike për qytetarët e Kosovës do duhej të ishin në agjendën e saj dhe jo shkarkimet arbitrare, antikushtetuese me qëllim të destabilizimit politik dhe futjes së hutisë në shërbimin diplomatik të Kosovës, në Shkup dhe kudo, për qëllime hakmarreje dhe të profiterizmit politik”, ka thënë ai.

Sipas Kqires vendimi për shkarkimin e tij është në kundërshtim me nenin 84 të Kushtetuës së Kosovës, sepse sipas tij Osmani këtë vendim e ka marrë pa konsultim paraprak me MPJD-në dhe Qeverinë e Kosovës.

Ndër të tjerash, ai paralajmëroi se ndaj këtij vendimi të kryekuvendares Osmani do të ndjek rrugën ligjore dhe në anën tjetër do të vazhdoj normalisht punën dhe angazhimet ditore në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup.

Deklarata e plotë:

Deklaratë për opinion

Nuk e njoh vendimin arbitrar dhe politik të u.d.Osmani !

Me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë, deklaroj se nuk njoh dhe as nuk e perfilli vendimin për shkarkimin tim, nga pozita e Konsullit-Ministrit Këshilltar, në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Shkup, nga zonja Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe u.d. Presidentit të Republikës së Kosovës.

Ky vendim në rradhë të parë është tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës, e mbi të gjitha është antikushtetues dhe i pa presedan në diplomacinë e Kosovës.

Zonja Osmani do duhej të merrej me punën e Kuvendit të Kosovës, i cili që nga ardhja e saj në krye të këtij kuvendi, në mënyrë aksidentale, ështe e vlerësuar si legjislatura më e dështuar e Kosovës nga themelimi i Kuvendit të Kosovës e deri më sot.

Neglizhenca e situatës me pandeminë globale, kriza ekonomike, aprovimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe një varg ligjesh tjera jetike për qytetarët e Kosovës do duhej të ishin në agjendën e saj dhe jo shkarkimet arbitrare, antikushtetuese me qëllim të destabilizimit politik dhe futjes së hutisë në shërbimin diplomatik të Kosovës, në Shkup dhe kudo, për qëllime hakmarreje dhe të profiterizmit politik.

Vendimi i Ushtrueses së Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës për shkarkimin tim, për mendimin tim është nxjerrë në kundërshtim me nenin 84 të Kushtëtutes së Republikës së Kosovës, ngase znj, Osmani këtë vendim e ka marrë pa konsultim paraprak me MPJD dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Në këto rrethana, kushdo që bënë përpjekje me zbatue këtë vendim të njëanshëm, përfshihet në shkelje Kushtetuese.

Veprimet e mia karshi këtij vendimi, do të jenë në përputhje me dispozitat ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe paralajmroj se kundër këtijë vendimi arbitrar të kryekuvendares, Osmani, do ta ndjekim rrugën ligjore, ndërsa unë do të vazhdoj normalisht punën dhe angazhimet ditore në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup.

Lindon Kqira, Konsull i Përgjithshëm-Ministër Këshilltar
Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.